Ah…shkoftë në djall dhe kjo drejtësia. Ti në paraburgim për 5 mijë euro bakshish, të tjerët të lirë për miliona… Sa shumë energji humbët për atë pusto Mercedesin. Të paktën të të kishin dërguar në Shutkë me të, do të ishte gjë me stil!
Nga Daut DAUTI
Unë jam me ty, Kato! Ah, mori Kato, Kato mori…po mirë të rrinte frizura që e bëje kushedi ku, këtë kurrë s’e morëm vesh, para se të dilje në ato konferencat e famshme për shtyp. Lençja në krah tëndin të djathtë, Fatimja në të majtin, si dy engjëj mbrojtës. Gjithë kombi ju shikonte ju! Ju, tri gracieve, ose madje “tri engjujve të Çarlit”, siç në përkëdheli ua vunë nofkën. Kur dilnit ju, të zbukuruara si për ndonjë dasmë, kushedi sa zbrazje emotive shkaktonit te njerëzit. Po dorën në zemër, Kate, ti dalloje prej dy tjerave, do të duhej pak më shumë fitnes të bëje, e prishje mesataren e Lençes dhe Fatimes. Ato mund të luanin edhe në ndonjë film, e tij, me thënë të drejtën, të shumtën rolin e një nëne të madhe…. Edhe ato “replikat” si për film, ato i thoshin disi më natyrshëm. Lençja me një ngrohtësi gjakftohtë, e Fatimja si një perëndeshë e furtunës nga Ilijada e Odisea…Ato të kishin ty, e ti i kishe ato, për t’i dridhur gjithë perënditë e Olimpit të zhytur në heres…
Të besonim ty, Kate, dhe dy engjëjve tjerë. Ishit shpresa që na jepte kurajë, dhe prisnim prej jush kur t’i zbrisni perënditë nga Olimpi që me vite i kishin mbajtur njerëzit në gënjeshtra e mashtrim. Dhe të na kthenin gjërat që kishin marrë prej nesh. Nuk them se nuk bëtë asgjë, bëtë shumë me mandat të të plotfuqishmëve në rrethana të kufizuara kohe. Ju u gjetët mirë në aspektin e përshtypjeve artistike(gestikulimet, ngritja ose ulja e zërit…nga koleget tua vërtet merrnin duartrokitje nga publiku naiv), por problemi kishte qenë te tundimi. Ah, ai tundim që nuk e lë njeriun të qetë, që nuk e bën të ndjejë veten paksa si Zeus e t’i shikojë gjërat nga lartë dhe të bëjë ç’të dojë. Ky tundim, ndër ne shqiptarët, ose te një pjesë e tyre, kaherë e kishin quajtur “kojsa”(me ta këndë), me at fjalën “kojsa e korit burrin”. Nuk e di të ta ketë treguar këtë Fatimja, por nuk e besoj, ajo është e një gjenerate të re, ndoshta nuk e ka dëgjuar këtë fjalë popullore. Por, ti, Kato mori Kato, re pre…
Nuk më vjen mirë këtë që dëgjoj, dhe prandaj do të luftoj deri në fund që ti të dalësh e pastër nga paraburgimi. Nuk e kuptoj, si mundet që nëpër (para)burgje shtëpiake qëndrojnë ata që dyshohen për miliona euro, e ti, ah, Kato, po ma therr zemrën, që këta kolegët tu prokurorë, Vilma e Joveja, s’kanë kurrfarë hatri, që për pesë mijë euro bakshish, të futën në hapssane!
Tamam, Kate, nuk e kuptoj drejtësinë. U mundova ta kuptoj gjera ti me engjëjt e tu u përpoqët, por as atëherë nuk e kuptoja kur ju dikë e fusnit e kur e lironit nga paraburgimi. Sinonim i drejtësisë suaj u bë një Mercedes që gjithë bota sot tallet, sepse Mercedesi vazhdon të përdoret, kurse ju për të kërkuat dhe fituat dënimin prej vitesh burg, ndërkohë që mëkatet tjera ishin më të mëdha se një Mercedes. Po a ndiqet njeriu për porosi shuplakash që s’ia kanë zhveshë askujt, ah, sa teatër. Tetatër, nga farsa gjer në absurd. Sa shumë energji humbët për atë pusto Mercedesin. Të paktën të të kishin dërguar në Shutkë me të, do të ishte gjë me stil! Do të të shkonte edhe ndonjë grup tamburesh si përcjellje. Nëse duhet patjetër, le të bëhet me muzikë…
Po Kate, mori Kato, ti ke fëmijë, ke familje, ke nevoja familjare…Ke nevojë të sigurosh familjen për një, dy e më shumë gjenerata…e dimë, këtë e bëjnë politikanë të tipit të atij që sot hangërizet në Budapest me fatin tënd. Ai tallet duke thënë sa lirë e shite lëkurën. Vërtet, sa lirë. Duke dëgjuar ato përgjimet e famshme ku përmenden dy, tre, a pesë(“Mile, mos është shumë?”), ato mori Kate, janë miliona, jo pesë mijë, sa ti e paske shitur lirë veten. Kur të të ofrohet dhe s’i bën ballë tundimit, merre nga ato pesëshet me shumë se pesë zero prapa. Kjo do të ishte me stil!
Ndaj e them dhe s’dua të përsëritem më, nuk i kuptoj Vilmën dhe Jovon, si mund të kërkojnë paraburgim për pesë mijë euro(jo të plota), që sa e kuptoj unë, s’janë gjë tjetër, pos një bakshish që s’ka pasë si ta refuzojë prokurorja kur vjen nga një punëdhënës privat i të birit(sepse a refuzohet nderi i dikujt kur ta qet një kafe, një drekë…). Vepra që të ngarkojnë edhe s’është vepër. Ti ke mundur të kërkosh në bazë të detyrës zyrtare paraburgim në bazë të vlerësimeve tua, këtë ta ka dhënë ligji. Ke mundur të kesh vlerësim të drejtë, ose të gabuar, por në kuadër të detyrave zyrtare vlerësimit tënd i jep ose nuk i jep vulë gjyqi. Por nuk merresh në përgjegjësi për këtë, ndaj dhe akuzën në këtë pikë e konsideroj paksa si farsë. S’jam avokat, po ja po marr të drejtën e avokatisë, dhe po them me plot gojën se ti këtu nuk ke bërë asnjë shkelje të autorizimeve zyrtare!(Ndonëse të jemi të sinqertë, të njëjtën gjë ua bëre ti disa personave që i akuzove për vendime në bazë të detyrave zyrtare, edhe pse si anëtarë të organeve kolektive, nuk ndiqen për vendimet që kanë marrë. Pyete Bedredinin e Menduhin dhe atë anëtaren e KSHZ-së që qante duke pyetur përse iu shqiptuan dënime nga disa vjet burg). Punë e madhe nëse një i dyshuar do të qëndrojë në paraburgim në shtëpi ose në Shutkë, ti nuk ia ke hequr statusin e të dyshuarit për vepër. (Por, në rastin konkret, Kate, gabimi më serioz është ai për të cilin nuk të akuzon kush e për këtë të paktën duhet të jepje përgjigje para Parlamentit: që ti si kryeprokurore ke lejuar që PSP-ja të ngritë lëndë jashtë afatit ligjor, ndoshta për këtë do të duhej të përgjigjeshe. Do të duhej të përgjigjeshe edhe për faktin se me ngritjen e lëndës jashtë afatit ligjor, u ke mundësuar të akuzuarve nga “Perandoria” dhe të disa lëndëve të tjera, që de fakto të shpëtojnë. Për këtë do të duhej të të shpërblenin, jo me pesë mijë, por me një peshqesh më të madh me më shumë zero. Për këtë do të duhej të “shpërblehen” nga të akuzuarit tjerë edhe kolege(ë)t tu(a)…).
Unë pajtohem me avokatin tënd që thotë se do të dëshmojë se ti je viktimë. Vërtet je viktimë, por para së gjithash, e naivitetit tënd. Vetëm naivi mund të hyjë në lojë të shoumenëve me sharm të dyshimtë. Ti duhet ta dije këtë. Po a futet njeriu në pozitën tënde, që ka ardhur për t’i ndjekur bosat e politikës dhe biznesit që mjelin shtetin si të ishte lopë nga ato më qumshtore, ti vetë të fillosh të mjelësh! I vjen se ti ke mjelë nga mjelësit, po, ama, Kate, mori Kato, s’paske ditur ta bësh. Tjerët e bëjnë me stil. Ty nuk të shkon roli i Robin Hudit, atë rol Boki 13 ia paska ndarë vetes(ty pesë mijë, vetes 1.5 milionë)këtë është dashur ta dish, ose të ta thoshte dikush. Se ata që nuk janë naivë, nuk bëjnë pakt me djallin. Ose kur bëjnë, e shesin shtrenjtë shpirtin, jo për ca komodina e divanë si ti. (Nuk e di pse hetuesia t’i mori, ende pa u dëshmua fajësia! Te ne gjithçka është e mundur…) Po a harrove se ç’ishte detyra jote: të ndiqje veprat nga përgjimet telefonike! Po a s’e kuptove se në Maqedoni gjithkush gjithkënd e përgjon? Si mund të ishe aq naive që gjithë këto t’i beje me telefon duke folur me peshkaqenë! E, Kate, mori Kato…
Të kuptoj, ato ditë kur plasi marrja, të kuptoj sa ke ndenjur vetëm duke i mëshuar kokës. “Lele, shto napraiv…” Eh, sa replikë thekëse për film dramatik, por nëse pak e dredhon zërin, edhe për tragjikomik. Burleskë, Kate, burleskë!
Na ke dëshpëruar, Kate, mori Kato, që humbe shpresën, që humbe karrierën dhe që shteti juridik tash duhet ta dëshmojë ndaj teje forcën që nuk e kishte për t’i ndjekur bosat e mëdhenj. Kërbaçin ta dha shteti ty, por ti ia ktheve vetvetes!
Ah…Kate, dhembja dhe dëshpërimi ynë i madh. Shkoftë në djall dhe kjo drejtësia. Ti në paraburgim për 5 mijë euro bakshish, të tjerët të lirë për miliona…
Nga ana tjetër, nuk të akuzoj për këtë derexhe që fute shtetin. Punë e madhe çka do të bëhet tash me PSP-në tënde. E sheh, edhe ligjin e kishin bërë sikur për ty, që të rrish përjetë në krye të saj, ndaj halli i madh si dhe kë të vendosin në vendin tënd. As shteti nuk kishte menduar se do të të shkonte ai refreni i Sinan Vllasaliut, e di, ndoshta Fatimja nuk ta ka lëshuar ta dëgjosh: “O, sa poshtë, sa poshtë ke ra…”.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)