Athinë, 18 prill – Turqia gjoja kërcënohet se do ta anulojë ratifikimin e protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, derisa vendi nuk i ekstradon 15 shtetasit turq të Ankarasë të cilët janë akuzuar për përzierje në grusht-shtetin e pasuksesshëm në Turqi në vitin 2016, shkruan gazeta greke “Katimerini”, transmeton Koha.
Sipas gazetës, Ankaraja insiston në ekstradimin e 15 shtetasve turq për të cilët autoritetet në Turqi konsiderojnë se janë anëtarët e rrjetit të predikuesit islamik Fetullah Gjylen, të cilin autoritetet turke e akuzojnë për organizim të përpjekjes për grusht-shtet.
Këtë çështje e hapi edhe ministri turk i Mbrojtjes Husuli Akar gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup më 3 prill. Gjithashtu, Akar gjatë vizitës në Kosovë kërkoi ekstradimin e shtetasve tjerë turq, për të cilët konsideron se gjenden në territorin e Kosovës dhe se janë pjesë e rrjetit të Gjylenit.
“Katimerini” shkruan se kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev i ka hedhur poshtë kërkesat e Ankarasë dhe për atë ka marrë mbështetje nga ana e përfaqësuesve zyrtarë të BE-së, të cilët, gjithashtu, i kanë bërë thirrje Qeverisë në Shkup t’i respektojë të drejtat e njeriut për ato 15 shtetas turq.
Megjithatë, siç citon gazeta greke, ministrja e mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut Radmilla Shekerinska në intervistë televizive ka deklaruar se nevojitet edhe Turqia për ratifikimin e protokollit për anëtarësim në Aleancë.
Ankaraja, gjithashtu, nga viti 2016 negocion me Athinën në lidhje me fatin e tetë ushtarëve turq të cilët Turqia i akuzon për pjesëmarrje në grusht-shtetin, ndërsa të cilëve Greqia u lejoi azil.
Në shkurt të këtij viti, agjencia gazetareske shtetërore turke Anadolia publikoi se Qeveria turke ka ofruar 5,6 milion euro për kthim të oficerëve turq. (koha.mk)