“Katërshi tetovar” që luftoi shpërnguljen për në Turqi

“Mësuesit kanë përcjellë disponimin e tyre armiqësor te nxënësit kundër rregullimit shtetëror në RFPJ dhe kundër vëllazërim-bashkimit mes popujve. Veprimtaria e tyre armiqësore është ngjeshur nga viti 1953, kur kishte filluar shpërngulja për në Turqi, sepse kanë konsideruar se pushteti popullor dëshiron që ta zvogëlojë numrin e shqiptarëve dhe t’i mbajë territoret e RFPJ”

Nga Ismail ARSLLANI

Vjeshta e vitit 1955, kur veç më ishte rrumbullakuar dhjetëvjetëshi i parë i sundimit të një pushteti antipopullor dhe antishqiptar, të instaluar pas Luftës së Dytë Botërore, për shqiptarët në Maqedoninë e sotme ishte një stinë e errët, me shumë furtuna. Trysnia mbi shqiptarët e paktë me shkollë ishte e paparë, kanosjet me ndjekje e burgosje nuk kishin fund. Kështu ndodhi edhe me katër tetovarë, sikundër me shumë të tjerë që ishin katandisur keq nga pushteti dhe KOS-i, më herët dhe më vonë, të cilët u akuzuan nga Prokuroria Publike e Gjykatës së Qarkut në Gostivar, gjoja për “veprimtari armiqësore për rrënimin e pushtetit dhe rendit kushtetues të Jugosllavisë”, duke u etiketuar si armiq vetëm pse ishin patriotë dhe luftonin për të drejtat e shqiptarëve në atë shtet dhe për ndaljen e shpërnguljes së tyre në Turqi. Aktpadia e Prokurorisë Publike, që ishte dorëzuar në Gjykatën e Qarkut në Gostivar dhe që mbante datën 26 shtator 1955, kishte vënë në shënjestër katër të akuzuar nga Tetova: Mehmetriza Murtezani-Gega, mësues, i cili gjendej në burgun hetues nga 22 maji i vitit 1955; Abdullah Huseini, mësues, në burgun hetues nga 5 gushti i vitit 1955; Hysein Xhaferi, rrobaqepës, në burgun hetues nga 27 qershori i vitit 1955 dhe Muharrem Jusufi, mësues, në burgun hetues nga 5 gushti i vitit 1955.

Abdullah Huseini

PROKURORIA AKUZOI PËR TENTIM BASHKIMI ME SHQIPËRINË

Kjo prokurori e kishte akuzuar “katërshin” nga Tetova, për shpërndarjen e një proklamate drejtuar popullit shqiptar. Në tekstin e aktakuzës thuhej: “Nga çlirimi i vendit deri në arrestimin e tyre, ata kanë qenë të disponuar armiqësisht ndaj rregullimit shoqëror dhe ekonomik të RFPJ, me qëllim që të kërcënojnë tërësinë territoriale dhe pavarësinë e saj. Që të gjithë të akuzuarit bashkërisht dhe me persona të tjerë, më shumë herë janë mbledhur në shtëpitë e tyre në Tetovë, ku janë marrë vesh që në kundërshtim me kushtetutën ta ndajnë Kosovën nga RFPJ, si dhe një pjesë të Maqedonisë perëndimore dhe Malit të Zi, duke konsideruar se janë të banuara me popullatë shqiptare dhe se duhet të bashkohen me Shqipërinë”.

Në pikën dy të kësaj aktakuze thuhet: “Gjatë periudhës së njëjtë, të akuzuarit me qëllim të rrënimit të pushtetit të popullit punues, forcën mbrojtëse të vendit, bazën ekonomike të ndërtimit socialist, si dhe vëllazërim-bashkimin dhe unitetin e popujve në RFPJ, pas mbajtjes së mbledhjeve në shtëpitë e tyre, janë marrë vesh që disa pjesë nga RFPJ t’i bashkëngjisin Shqipërisë; publikisht kanë ushtruar propagandë armiqësore mes bashkëmendimtarëve të tyre dhe personave të tjerë, me qëllim që t’i përfitojnë në veprimtarinë e tyre armiqësore. Ata kanë thënë se shqiptarët janë të robëruar, se pushteti popullor me forcë ka hapur shkolla turke, me qëllim që t’i asimilojë në turq fëmijët shqiptarë, se me forcë i ka shpërngulur shqiptarët në Turqi, me qëllim që të zvogëlohet numri i shqiptarëve, se shqiptarët kanë pasur tatime të larta, se ata kanë qenë të shkyçur nga pushteti popullor dhe administrata shtetërore dhe se atyre u jepen punë më të rënda fizike”.

Pos kësaj, në aktakuzën e Prokurorisë Publike shkruan: “Të pandehurit kanë bërë propagandë edhe me shkrimin e parullave armiqësore, të cilat i ka shkruar i akuzuari Mehmetriza Murtezani, kështu që gjatë vitit 1952, një ditë para bajramit, gjatë natës ka ngjitë tri parulla të shkruara, edhe atë njërën para kinemasë “Bratstvo” në Tetovë, të dytën para Postës dhe të tretën para Xhamisë së Pashës në Tetovë, në të cilat është thënë që shqiptarët mos t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat turke. Gjatë muajit maj 1955, Mehmetriza Murtezani ka shkruar edhe 14 parulla të tjera me përmbajtje armiqësore, duke ftuar për luftë dhe çlirim të pakicës kombëtare shqiptare në RFPJ. Parullat i ka përpiluar pas shënimeve që i ka marrë në mbledhjet e mbajtura me të akuzuarit e tjerë. Gjatë tentimit për t’i shpërndarë në qytetin e Shkupit, në orët e natës ishte zbuluar nga organet e pushtetit popullor”, nënvizohet në dokumentin e prokurorisë.

Hysein Xhaferi

“FLAMURI KUQEZI PËRSËRI DO TË VALOJË NË SHKUP…”

Në vazhdim të aktakuzës së Prokurorit Publik, që ishte hartuar në gjashtë faqe të shtypura me makinë shkrimi e me rreshta të ngjeshura, jepet përmbajtja e parullave të shkruara dhe teksti i proklamatës së hartuar nga këta katër të akuzuar tetovarë, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre, duke rrezikuar edhe sigurinë e familjeve që kishin, për idealin e tyre sublim të drejtësisë dhe të shpëtimit të kombit nga një politikë gjenocidi.

Proklamata drejtuar popullit shqiptar kishte këtë përmbajtje:

“Flamuri kuqezi do të valojë përsëri në Shkup, Kosovë dhe Metohi. Shumë gëzime dhe liri së shpejti! Dhjetë vjet robëri sa 100 vjet!”

Në vazhdim të proklamatës vihen në dukje veprimet e terrorit, të shtypjes, burgosjes e të vrasjes nga pushteti, sipas viteve: “Në vitet 1944-1945 – me terror dhe vrasje; më 1946-1947 – me plaçkitje të vlerave natyrore dhe të forcës njerëzore /shfrytëzim i punës njerëzore/, më 1948-1949 – me taksa të rënda dhe sulm i ashpër kundër mësuesve të popullit, më 1950-1951 – sulmi i dytë mbi shkollat shqipe dhe eliminim i elementit shqiptar nga pushteti, më 1952-1953 – aksione për internimin e shqiptarëve nga vendet e tyre për në Anadoll (Turqi), në vitin 1954 dhe tremujorin e parë të vitit 1955 shpeshtohen pyetjet – “Kur do të shkojmë në Turqi?”. Secili serb kishte në gojë fjalët: “Hajde, në Turqi!”. Në gjysmën e dytë të vitit 1955, pritje e madhe për liri. Rroftë Shqipëria etnike!”.

Në pikën tre të proklamatës, thuhet: “Bota e di mjaft mirë se Jugosllavia është ngritur në territorin e huaj. Këtu është dëmtuar më së shumti interesi ynë kombëtar. Kumanova, Shkupi, Pollogu dhe një pjesë e Pellagonisë janë territoret tona. Në vitin 1911, Shkupi me gjithë rrethinën ka qenë me 90 për qind popullatë shqiptare. Pas terrorit të madh nga serbët, e më vonë edhe nga bullgarët, populli shqiptar u detyrua që të ikë. Tash Shkupi, si qytet qendror i “Maqedonisë”, është me 60 për qind shqiptarë. Pushtetmbajtësit e sotëm, diktatorë dhe shovinistë nuk kanë turp kur thonë se nuk kanë marrë toka të huaja. Si thamë më parë, të kujt janë: Vojvodina, Kosova, Metohia, Pollogu, Pellagonia dhe shumë krahina të tjera të robëruara. Rroftë Shqipëria etnike!”.

Mehmetriza Murtezani – Gega

“MOS U LARGONI NGA VATRAT SHQIPTARE”

Në pikën katër, nënvizohet: “Populli shqiptar po ikë nga terrori. Për këtë akt kriminal është përgjegjës Beogradi, Ankara dhe Tirana, pastaj dhe Moska, Londra e Uashingtoni. Ëndrra jonë do të realizohet së shpejti”. Në pikët 5,6 e deri në 10 të proklamatës, sipas Prokurorisë Publike, pos të tjerash, shkruhet: “Ushtrohet terror mbi shkollat shqipe, burgosen punëtorët arsimorë dhe rritet numri i atyre që janë pa faj. Po ashtu rrënohen edhe xhamitë. Për shumë vjet Bajramin, vëllezër shqiptarë. Edhe këtë bajram do ta kalojmë në Tetovë, por së shpejti do të çlirohemi! Ruajuni dhe mos jini pre e propagandave që sugjerojnë shkuarjen në Turqi. Mos u largoni nga vatrat tona shekullore! Më se një milionë shqiptarë nuk kanë kurrfarë të drejtash dhe janë të ndarë në disa vija politike. Shqiptarët dërgohen në punë më të rënda. “Për të drejtat e njeriut. Në OKB po zhvillohet një debat për të drejtat e njeriut. Rroftë populli shqiptar në kufijtë e tij etnikë! Punëtorë dhe bujq të ndershëm, mos lejoni që anëtarët e familjeve dhe të farefisit të largohen nga vendlindja, që të lënë shtetësinë para armikut”, thuhet në këtë proklamatë drejtuar popullatës shqiptare, ku në fund të 10 paragrafëve përsëritet sintagma patriotike” Rroftë Shqipëria etnike!”.

Duke u nisur nga këto akuza, Prokuroria Publike e Gjykatës së Qarkut në Gostivar, konsideron se me këto veprime, të akuzuarit Mehmetriza Murtezani, Abdullah Huseini, Hysein Xhaferi dhe Muharrem Jusufi, kanë bërë dy vepra penale edhe atë: veprën penale “kërcënim të tërësisë territoriale dhe të pavarësisë së shtetit” nga neni 101, alineja 1 të LP, si dhe veprën penale “propagandë armiqësore” nga neni 118, alineja 1 nga LP, për çka Prokurori publik propozon që Gjykata e Qarkut e Gostivarit, si kompetente, të mbajë një proces gjyqësor publik, për të marrë në pyetje në një shqyrtim gojor, ku do të ftoheshin Prokurori publik i Gostivarit dhe katër të akuzuarit, që do të nxirreshin nga burgu hetues i Gostivarit. Ky prokuror publik ka kërkuar që pas nxjerrjes së fakteve të dëshmisë, të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale të cituara më lartë dhe të dënohen sipas ligjit.

Tetova në kohën e trysnisë policore për shpërngulje

Në këtë dokument të prokurorit publik nga Gostivari, që ka datën 27 shtator 1955, në vazhdim jepet arsyetimi për shpalljen e fajtorëve. Në të thuhet: “Nga dëshmitë e prezantuara gjatë hetuesisë, si dhe pranimit të veprës nga ana e të akuzuarve Mehmetriza Murtezani, Abdullah Huseini, Hysein Xhaferi dhe Muharrem Jusufi, marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të prezantimit të materialit tjetër dëshmues me shkrim, konstatohet kjo pozitë faktike: Të akuzuarit e sipër përmendur kanë vepruar armiqësisht kundër rregullimit shtetëror të RFPJ, menjëherë pas çlirimit të vendit. Veprimtaria e tyre armiqësore është vërejtur edhe më herët, kur të akuzuarit Hysein Xhaferi dhe Muharrem Jusufi që nga koha e Mbretërisë Jugosllave, si armiq të atij rregullimi shoqëror, kanë qenë të organizuar në shoqatën muzikore “Besa” në Tetovë, e cila ka punuar për çlirimin e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Gjatë kohës së okupimit armiqësor, të akuzuarit Mehmetriza Murtezani, Abdullah Hyseini dhe Hysein Xhaferi kanë bashkëpunuar me okupatorët, që mund të shihet se janë angazhuar në formimin e batalionit shqiptar “Luboten” në Tetovë nga ana e gjermanëve, që ka pasur për qëllim të luftojë kundër partizanëve në Maqedoninë perëndimore. Të akuzuarit kanë marrë pjesë në luftimet kundër partizanëve në Bivor të Kërçovës dhe në Pogradec të Shqipërisë. I akuzuari Mehmetriza Murtezani, para vitit 1944 ka hyrë në radhët e SS-trupave, është armatosur dhe bashkë me gjermanët ka luftuar kundër partizanëve. Ata kanë arritur të bëhen mësues në fshatrat e Tetovës, pos të akuzuarit Hysein Xhaferi, i cili ka vazhduar të punojë si rrobaqepës në punëtorinë e vet në Tetovë. Mësuesit kanë përcjellë disponimin e tyre armiqësor te nxënësit kundër rregullimit shtetëror në RFPJ dhe kundër vëllazërim-bashkimit mes popujve. Veprimtaria e tyre armiqësore është ngjeshur nga viti 1953, kur kishte filluar shpërngulja për në Turqi, sepse kanë konsideruar se pushteti popullor dëshiron që ta zvogëlojë numrin e shqiptarëve dhe t’i mbajë territoret e RFPJ”.

Nga i gjithë ky material “dëshmues”, Prokuroria ka konsideruar se veprat e bëra janë “kundër rregullimit shtetëror të RFPJ, si të tilla paraqesin vepra të rënda penale drejtuar kundër popullit dhe shtetit”, ndaj dhe ka kërkuar të caktohet dënimi maksimal i paraparë me ligj. Prokurori publik i Gostivarit, është nënshkruar me emrin G. M. Neshoski.