Në një rrëfim të sinqertë për InfraRed të gazetës KOHA vjen moderatorja dhe gazetarja Katerina Trungu. Ajo tregon për punën dhe jetën e saj në ekran si dhe sfidat me të cilat përballet
Biseoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Katerina, ky sezon të gjen sërish në Report Tv me “Rreze dielli”, çfarë do të thotë të jesh “rrezja e mëngjesit” për publikun shqiptar?
Ky është një kompliment i bukur, faleminderit. Jam shumë e lumtur që po bëj atë që kam dëshiruar gjithmonë. Shpresoj që mëngjeset e shqiptarëve të kalohen bashkë me ne. Është një mision i veçantë, por edhe i vështirë që të rrëmbesh vëmendjen dhe pëlqimin e publikut nga ekrani. Punoj me shumë pasion që të jem vërtetë një rreze, në kuptimin e mikes së mirë që ata duan të takojnë çdo mëngjes.
KOHA: Si shkoi dita sot dhe pse ia vlejti ta jetoje atë?
Sot ishte një ditë plot me punë si çdo ditë tjetër. Unë e ngarkoj shumë veten. Kam disa punë që duhet t’i mbyll në drekë me qëllim që të shkoj sa më shpejt në shtëpi sepse më pret djali. Ndaj përditshmëria ime është intensive dhe e vrullshme. Çdo ditë vlen të jetohet për aq kohë sa ke fatin të çelësh sytë, të kesh shëndet e mbi të gjitha të kesh afër njerëzit më të dashur. Unë zgjohem me tim bir. Ai vlen më shumë se çdo gjë në botë.
KOHA: Cila është gjëja më e mirë që ke bërë sot?
Gjëja më e mirë që kam bërë sot është tentativa e radhës për të realizuar një projekt, që e kam në mendje. Që pas lindjes së djalit jam shumë më e vendosur dhe kam më shumë vetëbesim. Kam mësuar se duhet të provoj sepse përgjigjen negative e ke gjithnjë në xhep. Ndaj sot gjëja e mirë që kam bërë është se hodha një hap drejt një tjetër ideje, që nëse realizohet është padyshim një tjetër sukses i këmbënguljes time që po e dua gjithnjë e më shume si pjesë të karakterit tim.
KOHA: Po ajo që duhet ta kishe menduar më gjatë dhe për të cilën je penduar?
Nuk para pendohem për gjërat që bëj sepse i bëj me mendje dhe zemër, dhe nëse janë të tilla janë të sakta. Shumë të pakta janë ato që më bëjnë të them se duhet të kisha vepruar ndryshe. Nëse i referohem ditës së sotme, për fat të mirë nuk kam një pendesë. Do të doja të kisha më shumë kohë për familjen, por nuk e cilësoj pendesë, pasi nuk e kam çuar kohën dëm. Nëse i referohem të shkuarës, e vetmja pendesë mund të jetë që kam lejuar persona të përfitojnë nga toleranca dhe mirësjellja.
KOHA: Cili është filli që të mban të lidhur kaq fort me televizionin?
Unë dhe televizioni shkojmë shumë mirë bashkë. Të paktën kështu më thonë të tjerët, dukemi shumë mirë krah njëri-tjetrit. Por, edhe unë e ndjej veten të plotësuar kur jam në televizion. Nuk e konceptoj dot jetën duke bërë një gjë, që nuk e dua apo nuk e pëlqej. Kam patur fat, por edhe kam punuar shumë që të jem këtu. Kam kaluar pengesa dhe vështirësi, kam provuar edhe mungesën e vlerësimit. Prapë kam qenë aty kokëfortë që do i futem kësaj pune dhe botës jo fort të bukur të televizionit në aspektin e konkurrencës së pandershme. Kisha një qëllim, arritjen e ëndrrës time. Mbroj tezën se njeriu duhet të bëjë atë që di të bëjë më mirë.
KOHA: Çfarë ka ndryshuar që nga dita e parë që ke dalë në ekran?
Që nga dita e parë kanë ndryshuar shumë gjëra. Së pari, ekrani ku punoj. Kam ngjitur shkallët një e nga një, ngadalë, por me themele të forta. E nisa me një eksperiment, tani jam në një televizion të konsoliduar dhe një program shumë të mirë. Kam ndryshuar unë, pamje dhe zë më të pjekur. Ka ndryshuar mendim dhe formë të të shprehurit. Kam ndryshuar në raport me kërkesat që kam ndaj vetes. Rritja profesionale të bën më të fortë, të jep siguri në vete. Dita e parë në televizion më kujtohet mirë. Kam qenë bashkë me një shoqen time, kolege asokohe, dhe ishim live edhe pse hera e parë. Do të reklamonim disa produkte kozmetike artizanale. Nuk mbaj mend të kem patur emocione, çuditërisht.
KOHA: Si janë ditët e para të punës në televizion?
Unë e përjetoj me shumë emocion dhe ankth ditën e parë të punës përherë, edhe kur kthehem nga pushimet për një sezon tjetër. Megjithatë ka qenë ditë e veçantë, padyshim, sepse po prekja televizionin pas një pune të gjatë në radio.
KOHA: Më fol pak për nismën tënde fantastike “Balonat”, që i dedikohet tërësisht fëmijëve duke qenë se vetëm pak ditë më parë u realizua edhe “Koncerti i balonave”, që rezultoi i suksesshëm?
Koncerti i balonave ishte një ndër gjërat e bukura që jam krenare që e realizova dhe me emocionon shumë sa herë e mendoj për dy arsye: së pari për faktin që ishte diçka e nisur nga unë dhe që e çova deri në fund, së dyti sepse rezultoi sukses jo për nga jehona, por për nga cilësia. Ishte një koncert, që bashkoi fëmijë të talentuar, të veçantë. Aty u bashkuan fëmijë të të gjithë grupeve të shoqërisë për të performuar në një skenë të madhe. Kishim mes talenteve fëmijë me sindromën down, autik, të verbër, komuniteti rom etj. Askush nuk duhet të mungonte sepse të gjithë fëmijët janë speciale. “Koncerti i Balonave” ishte i veçantë në llojin e aktiviteteve për fëmijë.
KOHA: Sa e vështirë të jesh Katerina e “Rrezes” dhe Katerina e “Balonave”?
Është e vështirë të jesh Katerina e Rrezes dhe e Balonave sepse nuk menaxhoj dot kohën. Jam në disa role gjatë ditës: prezantuese, gazetare, ideatore, bashkëshorte dhe nënë. Të racionosh kohën për të qenë sa më mirë në secilin rol është një detyrë e vështirë.
KOHA: Çfarë do të mbetet gjithmonë̈ e pandryshuar tek ti?
Nuk kam ndryshuar shkallën e ndjeshmërisë. Sa do doja të mos isha kaq e ndjeshme. Mua më prekin fjalët dhe gjestet. Këtë e shoh si një pikë të dobët të vetes. Do doja të isha më e fortë, moskokëçarëse. Megjithatë pika ime e dobët është edhe e fortë në të njëjtën kohë, pasi me zemrën e butë fitoj krah meje zemrat dhe respektin e atyre që dinë të vlerësojnë dhe që ngjajnë për nga bardhësia e shpirtit me mua.
KOHA: Çfarë po përpiqesh të ndryshosh tek vetja e nuk po ia arrin dot?
Të jem e sinqertë nuk kam diçka që të përpiqem ta ndryshoj dhe të mos mundem. Siç thashë edhe shkalla e ndjeshmërisë do doja të ishte ndryshe, por e kam parë që është e pamundur të ndërrohet sepse kështu jam e ndërtuar. Ndaj nuk përpiqem të ndryshoj. Jetoj me këtë që jam, falë Zotit kam gjithçka. Besoj gjithashtu në gjetjen e zgjidhjes tek çdo gjë, kështu që çfarëdo që më del përpara do ta zgjidh.
KOHA: Deo po rritet dhe po bëhet më i dashur e më i bukur. A është ai kryevepra e jetës tënde?
Ai është me plot bindje kryevepra ime. Ai është bateri për çdo ditë timen, është lumturi. Nuk e mbaj mend jetën pa të. Më duket sikur gjithnjë kemi qenë bashkë. Është personi për të cilin kur flas, më qesh shpirti. Është ai që mund të ma ngrije gjakun në sekondë me një rrëzim në tokë, por më shëron dhimbjen e kokës me një buzëqeshje. Fëmija për nënën është e gjithë bota.
KOHA: Ti je shumë aktive në mediat sociale. Nuk lodhesh ndonjëherë duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëz që i njeh e s’i njeh?
Do duhej të isha më aktive. E shoh që rrjetet sociale janë shndërruar në kryefjalë dhe madje pengesë për rritjen e figurës tënde publike. Për këtë më vjen tmerrësisht keq. Do duhet të investoja më shumë në fotografi me këndin dhe dritën perfekte se sa në një shkollim të mirë dhe punë e sakrifica të tjera. Kjo jo në aspektin monetar, por në aspektin e rritjes së imazhit tek të tjerët. Fitohet famë me Instagram që rrjedhimisht sjell të tjera përfitime. Por, nuk është në natyrën time të raportoj në një profil se çfarë bëj në jetë.
KOHA: Kur bëhet e lodhshme kjo punë?
Të flas me njerëzit nuk e kam problem, për aq kohë sa secili respekton vendin e atij perballë. Edhe në rrjetet sociale për mua nuk është problem t’i kthej përgjigje dikujt që edhe nuk e njoh në një koment në fotografitë e mia. Është vlerësim përderisa më ndjek dhe komplimenton. Madje më gëzojnë komentet pozitive nga të panjohur.
KOHA: A ka ndonjë moment kur dëshiron thjesht, të vësh gjithçka në Off për disa kohë? Ke tentuar ndonjëherë ta bësh?
Off do të ishte bukur ta bëja, por nuk është me buton. Siç thashë janë disa role që i kam marrë përsipër me dëshirë të plotë, që nuk të lënë t’i fikësh për asnjë çast. Por, është ajo që dua të bëj, kështu që nuk mund të ankohem. Dy palë pushime në vit do ishin bukur. Jo nga ato 6 mujoret, mjaftojnë dhe 10 ditoret. Por në këtë moment as nuk i imagjinoj dot. Puna sapo ka nisur dhe misioni për të qenë rreze në shtëpinë e shqiptarëve dhe në shtëpinë time është shumë më i rëndësishëm dhe emocionues.