Në gusht, “New York Times” njoftoi se më shumë se 1200 libra u shkruan për presidentin. Edhe komedia – medium për të cilin shumëkush priste të lulëzonte nën presidentin e 45-të, do të dalë nga këto vite në një gjendje copë-copë. Por jo i gjithë arti politik (dhe goxha shumë arti është politik) është shpërfytyruar. Vitet e Trumpit kanë dhënë edhe satira të mprehta: Succession, Kives Out dhe Parasite
Gjatë katër vjetëve sa Trumpi ishte në Shtëpinë e Bardhë, artet dhe industria e argëtimit i kanë pasur punët pisk. Derisa politikat e tij e kanë bërë edhe më të vështirë t’ia dilje mbanë si krijues profesionist, gati monopoli i tij në sferën publike ka shpërqendruar artistët nga veprat e tyre, si dhe qasjen e publikut në to. E thënë shkurt: Trumpi ishte i keq për artin.
Për të filluar me më të dukshmen, Trumpi iu vërsul artit dhe praktikuesve të tij. Që prej zgjedhjeve të 2016-s, presidenti, zakonisht përmes Twitterit, sulmoi artistë të tillë si Meryl Streep, Robert De Niro dhe John Legend. Në kapacitetin e tij si kritik i vetëshpallur teatri, ai katranosi Hamiltonin si “si fort i fryrë”. Secili libër kritik apo shaka i orëve të vona në kurriz të tij apo kompani mediale që nuk i shkonte pas midesë së tij quhej dështim. Më e rënda, ani pse më pak e prekur në titujt e tabloidëve dhe reagimet e mediave sociale, ka qenë përpjekja e tij e përsëritur për t’i ndërprerë fondet, edhe ashtu të kufizuara, të organizatave federale të artit si “National Endowment for the Arts”, “National Endowment for the Humanities”, “Corporation for Public Broadcasting” (që ndihmon financimin e PBS-së dhe NPR-së) dhe “Institute of Museum and Library Services”. Sado që këta skenarë kiameti nuk erdhën kurrë, retorika e Trumpit ka thelluar armiqësinë mes komunitetit artistik dhe të drejtës që zanafillon në kohën e Reganit për censurimin e artistëve të pafre si Robert Mapplethorpe dhe Karen Finley.
Agjenda e Trumpit mund të ketë rrezikuar tërthorazi edhe financimin e arteve private, si progresistët që prioritarizuan dhënien e tyre për grupet eksplicite politike. Sipas një përgjigjeje përfaqësuese të një hetimi në vitin 2017 nga “California Association of Nonprofits”: “Ne tashmë po e shohim një ndalim të donacioneve të pakufizuara në shkallë nga 1 deri në 500 dollarë. Këto po vijnë kryesisht nga profesionistët e rinj që mund të ndiejnë një pasiguri ekonomike apo po i ridrejtojnë ata nga organizata të artit në organizata të tjera”. Tutje, në mandatin e Trumpit ia behu edhe koronavirusi i ri – i cili, falë mohimit në masë të madhe nga administrata e tij, shkujdesi dhe dezinformacioni mbi pandeminë, e goditi tmerrësisht fort ShBA-në. Kjo krizë gjithnjë e më shumë në përkeqësim ka përftuar një makth për shumë punëtorë dhe pjesën më të madhe të sektorëve të ekonomisë, por më së shumti pësuan organizatat e arteve dhe krijuesit profesionistë. Sipas një raporti të botuar në gusht nga Brookings Institution, Richard Florida dhe Michael Seman vlerësuan humbjet brenda industrive kreative prej prillit në 2.7 milionë vende pune dhe 150 miliardë.
Piktura është edhe më e zymtë për artet e bukura dhe ato performative, me thuajse gjysmën e vendeve të humbura. Qytetet që jepnin para për të luftuar virusin, përfshirë edhe ato më të kamura si New Yorku, kanë bërë shkurtime drastike në buxhetet për arte. Me muzetë e mbyllura apo që veprojnë në kufizime të ngjeshura, teatrot e zbrazura, koncertet e anuluara, xhirimet filmike dhe ato televizive të shtyra, forma të tëra të artit kanë rënë në gjumë. Duket e qartë që, duke lënë anash nocionet romantike mbi artistë të uritur, më pak vende pune dhe fonde të shkurtuara do të kenë një efekt negativ në prodhimin krijues të shoqërisë. Por as tenori emocional i viteve të Trumpit nuk ka qenë tamam dhuratë për artet. Fill pas zgjedhjeve të 2016-s, autorja Porochista Khakpour pati thënë për TIME: “Për mua, në kohëra emergjence, është larg më e rëndësishme të jem aktivist sesa artist”. Teksa pranonte se këto gjëra nuk duhet të jenë në kundërshtim, ajo shpjegoi se “ne tani jemi në një gjendje emergjente. E ndiej urgjencën – është e fortë”. Koha për të shkruar e për të reflektuar do të vinte më vonë.
Ndërkohë, një cikël egërsisht i përshpejtuar i lajmeve rrëgjoi përqendrimin që lipset për të bërë art të mirë. Ankthi dhe dëshpërimi rreth fëmijëve në kafaz, sulmet në “Affordable Healthcare Act” apo tendosjet shpërthyese ndërkombëtare mund të godisnin imagjinatën. Në fillim të 2017-s, lajmësi im në Twitter ishte plot me artistë të ndryshëm që thoshin se veprat që kishin bërë gjithmonë po bëheshin më të thata, nëse jo më të pamundura. Nuk është se kemi vdekur urie për art të mirë që prej 2016-s; njerëzimi krijon aq shumë sa të lejohet një përgjithësim aq i gjerë. Dhe megjithatë, sfera e kulturës ka hequr keq prej fandaksjes së Trumpit të ushqyer nga kudondodhja e presidentit dhe shkelja bombastike e normave që dikur e bënin të mundur që qytetarët të harronin qeverinë federale për orë të tëra. Ne patëm më shumë portrete të shëmtuara, më shumë mbresa të papjekura apo shaka të pakuptimta. Televizionet investuan në polarizime politike, duke ofruar qasje alla-Resistance në “The Handmaid’s Tale” apo te “Who Is America?” të Sacha Baron Cohenit?
Në gusht, “New York Times” njoftoi se më shumë se 1200 libra u shkruan për presidentin. Edhe komedia – medium për të cilin shumëkush priste të lulëzonte nën presidentin e 45-të, do të dalë nga këto vite në një gjendje copë-copë. Por jo i gjithë arti politik (dhe goxha shumë arti është politik) është shpërfytyruar. Vitet e Trumpit kanë dhënë edhe satira të mprehta: Succession, Kives Out dhe Parasite. Edhe televizioni është zgjeruar pa fund, duke bërë vend për portretizimin emfatik të njerëzve që shoqëria e bardhë e kapitaliste i lë pas vetes: Pose, Vida, When They See Us, Watchmen, Immigration Nation, America to Me. Këngë si “This Is America” e Childish Gambinos dhe albume si ai i Lana Del Reyt “Norman F-cking Rockwell!” dolën prej hirit të ëndrrës amerikane.
(Marrë me shkurtime nga revista TIME)