Me fitoren 4-2 të Real Madrid-it kundër Kashima Antlers-it, Toni Kroos siguroi trofeun e tij të katërt botëror në po kaq vite, duke i shtuar një medalje të tretë të Botërorit të klubeve asaj që mori në “Brazil 2014” me Gjermaninë. Gjithçka nisi më 21 dhjetor 2013, kur ai shijoi triumfin e parë në Botërorin e klubeve me Bayern-in. Ishte viti kur bavarezët fituan tripletën me trajnerin legjendar Jupp Heynckes dhe Kroos ishte një lojtar kryesor i asaj skuadre madhështore. Rekordmenët mposhtën 2-0 Raja Casablanca-n në finale në “Stade de Marrakech” dhe mesfushori luajti 60 minuta. Një vit më vonë, Kroos shijoi lavdinë me kombëtaren gjermane duke mposhtur 1-0 Argjentinën në finalen e mitikut “Maracana” në Rio de Janeiro. Me transferimin në Madrid, gjeniu i mesfushës u rikthye në Marrakech për t’u shpallur sërish kampion bote duke fituar 2-0 kundër San Lorenzo-s në finale, në të cilën ai luajti gjithë ndeshjen. Në Yokohama, të dielën Kroos mori medaljen e radhës dhe “Los Blancos” fituan trofeun e pestë botëror. 26-vjeçari shijoi triumfin dhe njoftoi mbështetësit e tij në rrjetet sociale se tani do të kalojë disa ditë me familjen. Padyshim, i meriton!