Shkup, 7 shkurt – Katër persona, prej të cilëve njëri në gjendje më të rëndë, janë lënduar gjatë një fatkeqësie rrugore që dje pasdite ndodhi në udhëkryqin mes bulevardit “Sllovenia” dhe Rrugës së Kaçanikut.
Fatkeqësia ndodhi gjatë ndeshjes mes automjetit “Audi”, me targa të Kosovës, drejtuar nga 44-vjeçari S.A., dhe “Folksvagen Bora”, drejtuar nga 30-vjeçari B.I. nga Shkupi.
Më rëndë është lënduar bashkëudhëtari në automjetin “Audi”, I.A. (1968) nga Kosova, i cili është dërguar në Qendrën urgjente ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore dhe është në rrezik për jetën.
Janë lënduar edhe vozitësi i “Audi”-t dhe vozitësi dhe bashkëudhëtari i automjetit “Bora”. Vozitësi B.I. dhe bashkëudhëtari H.F. (1992) janë dërguar në Klinikën universitare për sëmundje krirugjike “Naumi i Ohrit”, ndërsa vozitësi i “Audi”-t është dërguar në SPQ “8 Shtatori”, pas çka është dërguar në Qendrën urgjente, e më pas është lëshuar për mjekim shtëpiak.
Gjatë nxjerrjes së të lënduarve ka intervenuar edhe Brigada territoriale zjarrfikëse e Qytetit të Shkupit.
Për fatkeqësinë është njoftuar prokurori publik, ndërsa ekspertizë në vendin e ngjarjes ka bërë ekipi nga SPB Shkup.
Janë konstatuar shkaqet e fatkeqësisë.