Pas procedurës së zbatuar, Prokuroria Publike Themelore Shkup në Gjykatën Themelore Penale shtroi propozim-aktpadi kundër katër personave për veprën penale rrezikim i sigurisë, kumtuan sot nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të akuzuarit më 30.11.2019 në hotel “Aleksandar Pallas” në Shkup, së bashku e kanë rrezikuar sigurinë e 11 nëpunësve policorë të cilët kanë bërë legjitimim.
“Ata kanë filluar debat verbal me policët, duke u thënë fjalë të pahijshme dhe kërcënuese të cilat kanë përmbajtur kanosje të drejtpërdrejta dhe serioze se do të sulmojnë me qëllim që të rrezikojnë jetën e nëpunësve policorë dhe jetën e eprorëve të tyre. Të akuzuarit janë paraqitur përmes telefonit tek personat e tyre të afërm dhe i kanë thirrur të vijnë tek hoteli dhe të qërojnë hesapet me të dëmtuarit. Pas legjitimimit të bërë, të dëmtuarit janë larguar nga hoteli”, sqarohet në kumtesë.
Për tre nga të akuzuarit akoma aktive janë masat e kujdesit të caktuara nga gjykatësi i procedurës paraprake me propozimin e prokurorit publik: ndalesë për braktisjen e vendbanimit/vendqëndrimit, marrjen e përkohshme të dokumenteve të udhëtimit dhe ndalesë për dhënien e obligimit të ri që herë pas here të paraqiten te personi i caktuar zyrtar, si dhe ndalesë për afrim dhe për vendosjen e komunikimit me të dëmtuarit.
Njëri prej të akuzuarve, nënvizohet, akoma nuk është në dispozicion për organet e shtetit, ndërsa prokuroria do të vendosë se çfarë masash sigurie për sigurimin e pranisë së tij do të propozojë pasi ai të jetë në dispozicion për organet e përndjekjes.
Lidhur me ngjarjen tjetër penalo-juridike e cila ka pasuar në hotel disa orë pas veprës penale për të cilën tani është shtruar aktakuzë, theksojnë nga PP akoma nuk është përcaktuar identiteti i autorëve të cilët me armë zjarri kanë shtënë në drejtim të personave tani të akuzuar.
“Pasi Ministria e Punëve të Brendshme t’i identifikojë autorët dhe do të japë prova relevante, Prokuroria Themelore Publike edhe në këtë lëndë do të veprojë në pajtim me Ligjin për procedurë penale”, qëndron në kumtesën e sotme të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.