Shkup, 21 shkurt – Pas Greqisë, Sllovenisë dhe Shqipërisë, dje në Parlamentin e Republikës së Bullgarisë e ratifikuan Protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Për ratifikimin votuan 140 deputetë, ndërsa kundër dhe të përmbajtur nuk pati, njofton Koha.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva tha se momenti i bashkangjitjes së Maqedonisë së veriut në NATO është historik për Aleancën dhe potencoi se Bullgaria e pranoi angazhimin të punojë në përshpejtimin e procesit për integrim euroatlantik të vendit, si dhe për reforma të brendshme, dhe për stabilizim të rajonit.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pas ratifikimit të djeshëm në Sofje, vlerësoi se Bullgaria krhas nesh, është garancë e fuqishme se edhe ne si shtet, por edhe i tërë rajoni i Ballkanit do të lëvizim në kahje të drejtë e cila sjellë paqe, stabilitet, përparim dhe mirëqenie.
“Është mirë të kesh miq të sinqertë, por ndjenja është akoma më e mirë kur janë fqinjtë tanë”, deklaroi Xhaferi.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska e përshëndeti ratifikimin e marrëveshjes nga ana e Kuvendit të Bullgarisë dhe theksoi se shteti ynë hyri në klubin, në Aleancë, përkatësisht, siç tha, në klubin e shteteve të cilit dëshirojmë t’i takojmë.
Ajo theksoi se suksesi më i madh në raport me anëtarësimin tonë në NATO është që reagimet dhe ratifikimet e para erdhën nga fqinjtë tanë, duke cekur se Sllovenia e para vendosi të fillojë me procedurën për ratifikim që para notifikimit, më pas vijuan edhe vendet e tjera fqinje, ndërsa i tërë procesi, thotë, po zhvillohet me shpejtësi befasuese.
“Sot Bullgaria e ratifikoi marrëveshjen, paraprakisht atë e bëri Shqipëria. Në javën e ardhshme presim këtë ta bëjë Rumania. Praktikisht të gjitha vendet në fqinjësi ishin të parat që thanë se nuk është kjo me rëndësi për Maqedoninë e Veriut, kjo është me rëndësi për të gjithë ne dhe kjo është me rëndësi për rajonin”, tha Shekerinska dhe shtoi se pritet sot edhe Qeveria hungareze ta fillojë ratifikimin dhe ta përfundojë para fillimit të zgjedhjeve evropiane.
Koordinuesi nacional për NATO, Stevo Pendarovski theksoi se me anëtarësimin në NATO u bëmë shtet me të ardhme të parashikueshme, legjitimitet ndërkombëtar dhe konfirmim definitiv të kufijve.
Ambasadorët e 29 vendeve anëtare të Aleancës veriatlantike më 6 shkurt në Bruksel e nënshkruan Protokollin për anëtarësim në NATO. Pas katër vendeve të cilat deri më tani e ratifikuan, pritet atë së shpejti ta bëjnë edhe shtetet e tjera aleate, me çka Maqedoni e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. (koha.mk)