Para Maqedonisë, vërtet është beteja me kohën dhe beteja për votat; por para se gjithash është beteja për ardhmërinë e saj. Do të ishte dëm që i tërë ky proces i rëndësishëm, në finishin e tij të dështonte, sepse kjo do të kishte reperkusione për vendin dhe për rajonin. Përfituesi më i madh i dështimit eventual, do ishin forcat që nuk e duan Maqedoninë as në NATO dhe as në BE
Nga Blerim REKA
Maqedonia po hyn në fazën finale të ndryshimeve kushtetuese, në të cilën Marrëveshja e Prespës është vetëm akt juridik, ndërkaq procesi i Prespës është kryesisht politik. Ky proces në fundin e tij mund të sfidohet nga 4 faktorë, prej të cilëve dy janë të jashtëm dhe dy të brendshëm.
I pari, i jashtëm, është bilateral dhe ka të bëj me Greqinë, e cila siç e dimë, kërkon implementimin në plotni të marrëveshjes së Prespës. Vetëm pas përmbylljes së ndryshimeve kushtetuese tek ne, ajo do e nxjerr atë për ratifikim në parlamentin e saj. Nga kjo del se koha punon për Greqinë dhe çfardo ngecje apo vonesë në votimin e ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Maqedonisë, do fuqizonte forcat në shtetin fqinjë, që janë kundër kësaj marrëveshje. Nëse ky proces nuk përmbyllet më së voni në janar të vitit tjetër, ai rrezikon të dështojë. Sepse: në maj janë zgjedhjet për PE, kurse në shtator zgjedhjet në Greqi, të cilat mund të mbahen edhe më herët. Qeveria aktuale e Ciprasit ende është faktori i vetëm pro marrëveshjes. Mirëpo jo edhe partneri i tij i koalicionit- Kamenos, i cili jo më larg se dje deklaroi se “Marrëveshja e Prespës është e vdekur”. Ndërrimi eventual i qeverisë në Athinë, do mund ta stoponte tërë procesin.
Faktori i dytë i jashtëm është multilateral dhe ka të bëj me Këshillin e Sigurimit dhe Rusinë. Pas tentimit të pasuksesshëm për ta bllokuar Marrëveshjen e Prespës – dhe me te edhe bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, Rusia së voni filloi ti nxjerr një tjetër pengesë këtij procesi; me deklarimet se për “ndryshimin e emrit, megjithatë në fund do të vendoset në Këshillin e Sigurimit të OKB-s”; duke aluduar në të drejtën e saj të vetos si anëtare e përhershme. Ç’ vendosja eventuale e procesit në KS të OKB, do nënkuptonte bllokadë te re shumëvjeçare vetë procesit.
Faktori i tretë – dhe i pari i brendshëm – është intra-etnik, dhe ka të bëjë me qëndrimin e qytetarëve maqedonas ndaj këtyre ndryshimeve. Shumica është pro, por mbetet opozita maqedonase VMRO-DPMNE, që kundërshton ende marrëveshjen dhe ndryshimet kushtetuese. Brenda këtij faktori fatëkeqësisht është rreshtuar edhe Presidenti Ivanov, i cili dy herë refuzoi të nënshkruaj ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës. Ndërkaq, tetë deputetët opozitar edhepse, në raundin e parë votuan pro, tash me qëndrimin e tyre të përmbajtur, sikur paralajmërojnë edhe mundësinë e votimit kundër në fazën finale, kur do vendoset me 2/3. Dhe atë – jo për arsye “patriotike”, por thjeshtë për të shpëtuar nga ndjekja penale, duke kushtëzuar votën me amnistinë, kundër sundimit te ligjit.
Faktori i dytë i brendshëm është ai inter-etnik, apo kompleksi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase. Gjatë tërë këtyre 27 viteve të kësaj maratone negociuese për emrin, Shqiptarët, ishin dhe mbetën te matur dhe mbështetës; së fundi edhe në referendumin e fundit, duke dhënë prova se janë forca konstruktive në favor të përmbylljes së procesit, si rrugë për integrimet euroatlantike të vendit.
Brenda bllokut shqiptar: pozita (BDI) vendosi Marrëveshjen e Ohrit në Preambulën e Kushtetutës,(A.34), ndërkaq, Opozita shqiptare (ADSH dhe Besa) kërkojnë riformulim të kësaj preambule dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe, si kategori kushteuese në dispozitat normative, duke fshirë përcaktimin statistikor 20% për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Pra, duket se faza finale e ndryshimeve kushtetuese do të jetë betejë me: kohën (në raport me Greqinë); dhe betejë për numrat (në Kuvend). Apo: si të binden 8 opozitarët maqedonas dhe si ata 4 opozitar shqiptarë për tu përmbyllur ndryshimet kushtetuese; dhe kjo të përmbyllet- deri në janar 2019?
Kërkesa e opozitarëve maqedonas, del jashtë sferës Kushtetuese- sepse ata nuk merren me amendamentet, por me kushtëzimin e tyre me amnistinë; pra thjeshtë imponojnë një tregti kushtetuese. Ndërkaq, opozita shqiptare mbetet pro ndryshimeve kushtetuese dhe me te edhe anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE, por kërkojnë që në këtë proces, të mbyllet edhe çështja e hapur tash 17 vite – ajo e zyrtarizimit të gjuhës shqipe.
Sa i përket kushtëzimit me amnistinë, kjo mbetet një çështje juridike; që bie ndesh me sundimin e ligjit, për çka vendi tashmë filloi skriningun me BE-në, pikërisht për kaptinat 23 dhe 24 që mbulojnë mu këtë fushë; Kërkesa e opozitës shqiptare, ndërkaq është politike dhe me një marrëveshje politike, ajo edhe mund të tejkalohet në mënyrë që më vonë, të mos ketë probleme politike të natyrës ndër-etnike, të cilat do mund ta bllokonin procesin integrues. Fundja, asgjë nuk është e pamundur kur ekziston vullneti politik. Me fjalë të tjera, faza finale e ndryshimive kushtetuese kërkon nga politikanët, më shumë vullnet politik për ti adresuar sfidat thelbësore, përballë këtij procesi historik. Politikanët edhe mund të preferojnë marrjen e vendimeve të lehta dhe afat-shkurta. Mirëpo, vetëm shtetarët e mëdhenj, marrin vendime të rënda dhe afatgjate. Para Maqedonisë, vërtet është beteja me kohën dhe beteja për votat; por para se gjithash është beteja për ardhmërinë e saj. Do të ishte dëm që i tërë ky proces i rëndësishëm, në finishin e tij të dështonte, sepse kjo do të kishte reperkusione për vendin dhe për rajonin. Përfituesi më i madh i dështimit eventual, do ishin forcat që nuk e duan Maqedoninë as në NATO dhe as në BE. (koha.mk)