Në Maqedoni, nga sëmundjet si pasojë e ndotjes, në një vit vdesin rreth 1300 qytetarë. Përllogaritjet e Bankës Botërore ndërkohë tregojnë se humbjet ekonomike nga ulja e produktivitetit, mungesat në punë dhe vdekjet e parakohshme të punëtorëve i kushtojnë ekonomisë vendore afër 250 milionë euro në vit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 tetor – Studimi i fundit i Institutit Finlandez Meteorologjik dhe Institutit për Shëndet Publik tregon se në Maqedoni, nga pasojat e ndotjes, vdesin 1300 qytetarë në vit apo ndërrojnë jetë nga katër qytetarë në ditë si rrjedhojë e sëmundjeve që shkaktohen nga ndotja e ajrit. Njëherazi, ndotja krahas pasojave fatale, shkakton edhe dëme të mëdha në ekonomi, shkruan gazeta KOHA. Përllogaritjet e Bankës Botërore tregojnë se humbjet nga fitimi potencial që nuk realizohet si pasojë e uljes së e produktivitetit, mungesave në punë dhe vdekjeve të parakohshme të punëtorëve, i kushtojnë ekonomisë vendore afër 250 milionë euro në vit.
“Në rast se Maqedonia arrin të zvogëlojë nivelin e dëmshëm të grimcave PM10 dhe PM2.5 në nivelin e rekomanduar konform standardeve evropiane, në atë rast do të evitohen 800 pasoja fatale për jetën e njeriut dhe do të evitohen me mijëra e mijëra pushime mjekësore që në vlerë të parave nënkupton afër 150 milionë euro në vit”, tregojnë përllogaritjet e Bankës Botërore.
Ekspertët e ekologjisë thonë se Maqedonia vite me radhë po përgatit Strategji për zgjidhjen e problemit me ndotjen jo vetëm të ajrit, por edhe të ujërave dhe truallit, megjithatë për realizimin nevojiten mjete të mëdha, si dhe një realizim më serioz i masave të ndryshme.
Ata shtojnë se ndotja nuk mund të zvogëlohet brenda natës me masa populiste, por vetëm përmes masave më të rrepta dhe gjithëpërfshirëse që do të mbrojnë shëndetin e popullatës dhe do të parandalojnë shkaktimin e sëmundjeve të ndryshme tek popullata. Analizat më tej tregojnë se burimet kryesore të ndotjes së ajrit janë industria dhe kompanitë e ndërtimit, komunikacioni, amvisëritë , deponitë etj. “Zgjidhja e këtyre problemeve kërkon mjaft kohë, punë në kontinuitet, sigurimin e mjeteve, vendosjen e masave më të rrepta, mbikëqyrje më të madhe, si dhe kontrolle për shkaktarët e ndotjes. Gjithashtu si shtet kemi strategji për zgjidhjen e problemeve veç e veç, por na mungon një Strategji se si në mënyrë të përgjithshme ti qaset punës dhe të fillohen të zgjidhen problemet”, thotë profesori universitar, Trajçe Stafilov.
Nga ana tjetër, analizat tregojnë se edhe Bashkimi Evropian ka probleme me ndotjen e ajrit, ndoshta jo me aq nivele të larta si shtetet e Ballkanit, por që sërish shkakton probleme për shëndetin e njeriut.
“Ndotja ajrit paraqet rrezikun më të madh për shëndetin në BE. Masat e BE-së për mbrojtjen e shëndetit të njeriut nga ndotja e ajrit megjithatë nuk i kanë arritur rezultatet e pritura. Ndotja e ajrit për çdo vit në BE shkakton afër 400 mijë raste të vdekjeve të parakohshme, ndërsa qindra miliarda euro përllogariten se janë kostot për trajtimin e sëmundjeve që janë të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Megjithatë, akoma nuk janë vendosur masa adekuate në tërë BE-në që do të zvogëlonin harxhimet materiale dhe njerëzore”, tregon raporti i Gjykatës Evropiane të Revizionit.
Janusz Vojçehovski, drejtuesi kryesor i Revizionit Evropian, thotë rezultatet janë të papranueshme. “Ne kemi një krizë të shëndetit publik në Evropë për shkak të ndotjes së ajrit. Ka pasur më shumë se 1000 vdekje të parakohshme çdo ditë në të gjithë BE-në, kjo është 10 herë më e lartë se numri i aksidenteve me pasojë vdekjen me makinë”, thotë ai. Sipas tij, në të ardhmen, ndotja e ajrit duhet të trajtohet si prioritet nga BE.
Ndryshe, Republika e Maqedonisë radhitet në vendin e dytë për nivelin e ndotjes në Evropë, pas Bosnjë e Hercegovinës. Vendet më të ndotura në Evropë, sipas grimcave të dëmshme të pranishme në ajër në mjediset urbane, janë Bosnja (55.1), Maqedonia (42.7), Bullgaria (30.3), Polonia (25.4), Mali i Zi (24.3), Hungaria (22.7), Serbia (21.4).Vendet më pak të ndotura janë Suedia, Finlanda, Islanda, Estonia dhe Norvegjia. (koha.mk)