Në rrjedhë e sipër janë katër projekte, të cilët kanë qenë në program dhe duhet që të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Momentalisht është duke u bërë restaurimi dhe konservimi i disa objekteve të rëndësishme kulturore në Gostivar
Urim HASIPI
Tetovë, 28 nëntor – Qendra për Konservim në qytetin e Gostivarit, edhe krahas pandemisë, vitin 2020 po e përmbyll në mënyrë të suksesshme. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, gjatë vitit 2020 janë realizuar disa projekte edhe pse vendi ishte përfshirë nga pandemia Covid 19. Në rrjedhë e sipër janë katër projekte, të cilët kanë qenë në program dhe duhet që të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Momentalisht është duke u bërë restaurimi dhe konservimi i disa objekteve të rëndësishme kulturore në Gostivar. Nga ana tjetër, janë duke u bërë përkthime nga gjuha otomane, kurse është në përpunim e sipër edhe përpilimi i hartës arkeologjike në këtë rajon.
“Në xhaminë e vjetër në fshatin Raven, janë duke u kryer punë rreth përforcimit të themeleve të saj. Kjo xhami daton nga viti 1830 dhe është një ndërtim që nga periudha osmane. Qëllimi ynë që në vitet e ardhshme, të përfundojmë restaurimin dhe konservimin e tërësishëm të Xhamisë, me qëllim që të kthehet autenciteti i xhamisë dhe të jetë një objekt i trashëgimisë kulturore për gjeneratat e ardhshme”, thotë Hirije Saiti, drejtuese të këtij institucioni. Kjo xhami që nga viti 2003 është jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve dhe mos kujdesit ndaj saj nga ana e institucioneve përkatëse. Me qëllim që kjo xhami sërish të jetë në shërbim të besimtarëve, kjo qendër kishte konkurruar me projekt në Ministrinë e Kulturës dhe ka marrë një projekt për restaurimin e së njejtës. Xhamia në Raven pritet që gjatë viteve të ardhshme të konservohet tërësisht. Sipas informacioneve, ka edhe punë tjera që kryhen në objekte me rëndësi nga e kaluara.
“Në aspekt të ruajtjes së arkitekturës së vjetër, punojmë në projektin themelor për konservim dhe restaurim të shtëpisë Kançevski në qytetin e Gostivarit”, thotë Saiti. Sa i takon materialeve që janë duke u përkthyer nga periudha osmane, pritet që të dalin në pah shumë të dhëna të rëndësishme për Gostivarin dhe rrethinën. “Materialet nga gjuha turke përkthehen në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Ato përmbajnë të dhëna të rëndësishme për Gostivarin dhe rrethinën. Këta të dhëna në të ardhmen ne si Qendër konservuese do ti shfrytëzojmë gjatë punës sonë”. Më tej pohohet se përmes hartës digjitale arkeologjike pritet që në të ardhmen të zbulohen edhe objekte tjera nga ajo periudhë. “Sa i takon hartës digjitale arkeologjike, mund të themi se ky është një projekt i parë i këtillë dhe pritet që në kuadër të kësaj harte të azhurohen të gjitha të dhënat për lokalitetet arkeologjike, do të detekohen lokalitete të reja dhe më pas tërësisht do të jenë të qasme në formë elektronike”, sqarojnë nga Qendra për konservim në Gostivar. Projektet që realizohen në kuadër të këtij institucioni, kanë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së veriut. (koha.mk)