Të paktën katër persona e humbën jetën nga stuhia Filomena në Spanjë, ndërsa komunikacioni është paralizuar në disa pjesë të vendit.
Ushtria dhe shërbimet e shpëtimit i tërhoqën 1.500 persona nga automjetet që ngelën të ngujuara në rrugë.
Një burrë dhe një grua janë mbytur në lumë kur automjeti është kapluar nga uji i ardhur në afërsi të Mallagas, ndërsa në lindje të vendit një i pastrehë vdiq nga ngrirja. Viktima e katërt është gjetur në Madrid, nën një sasi të madhe dëbore.
Ministri i Punëve të Brendshme, Fernando Grande-Marllaska ju bëri thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë pa nevojë.
“Jemi duke u përballur me stuhinë më të fuqishme në 50 vitet e fundit”, tha ai.
Bora i paralizoi mbi 650 rrugë, ndërsa disa shoferë janë bllokuar në automjete.
Shkollat dhe universitetet në Madrid do të jenë të mbyllura deri të mërkurën, ndërsa aeroporti nuk është hapur që mbrëmë. Të paktën 50 fluturime janë anuluar.
Janë anuluar edhe ndeshjet e futbollit, duke e përfshirë edhe derbin e sotëm Atletiko Madrid – Atletik Bilbao.
Madridi është goditur nga stuhia më e fuqishme e dëborës nga viti 1971, kumtoi agjencia meteorologjike.
Në kryeqytetin e Spanjës ka rënë dëborë midis 25 dhe 50 centimetra.