Katër njësi zgjedhore të pa balancuara

Shkup, 14 janar – Problemi me disbalancin e numrit të votuesve nëpër njësi zgjedhore ende është prezent. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) konfirmojnë se problemi është evident në katër njësi zgjedhore. “Njësia zgjedhore numër dy është ajo e cila e kalon pragun plus ose minus për qind me këto numra, +5,49 %, njësia zgjedhore numër tre -7,31 %, njësia zgjedhore numër katër -6,16 % dhe njësia zgjedhore numër gjashtë me +8,32 %”, konfirmojnë nga KSHZ për gazetën KOHA.

Sipas normave ligjore, ky disbalanc, paraqet shkelje të Kodit Zgjedhor. Në nenin 4 të kodit thuhet se në njësitë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, numri i votuesve mund të lëvizë më së shumti nga minus 5% deri në plus 5% në përputhje me përqindjen e votuesve në njësinë zgjedhore. Ndërkohë ministria e Drejtësisë ka formuar grup pune që do të merret me ndryshimet e Kodit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së. Anëtarët e grupeve të punës thonë se për më shumë se një muaj nuk kanë realizuar takim. Por ministrja Deskoska ditë më parë tha se propozim ndryshimet së shpejti do të jenë në procedurë parlamentare.

Pas dështimit të ndryshimit të modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, partitë politike nuk janë dakorduar ende për ndryshimet eventuale të Kodit që duhet të ndodhin para shpërndarjes së Parlamentit. KSHZ-ja nga ana tjetër është në përfundim të analizave për gjendjen e njësive zgjedhore deri në fund të vitit të kaluar. “Për momentin është duke u përpunuar gjendja e listës zgjedhore deri në dhjetor të vitit 2019 ndërsa brenda kohës KSHZ është drejtuar tek MPB për gjendjen e listës zgjedhore për shkurt të vitit 2020, me gjendjen e personave të cilët në shkurt të vitit 2020 mbushin 18 vjet”, pohojnë nga KSHZ-së. (koha.mk)