Të shtunën Bayern Mynih u mund në fushën e tij nga Monchengladbach me rezultatin e pastër 0-3. Një humbje që djeg shumë te bavarezët, por që nuk i ka penguar që të marrin pjesë në festën e njohur gjermane “Oktoberfest” (festa e birrës).
Edhe tekniku kroat Niko Kovaç ishte në festë, pavarësisht se Bayern-i ndodhet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit, teksa ka katër ndeshje pa marrë asnjë fitore. Megjithatë, për kroatin nuk ka munguar mbështetja nga presidenti i skuadrës.
Uli Hoeness i ka dalë në krah trajnerit dhe e mbron atë për të ardhmen. Kur u pyet nga mediat gjermanë gjatë festës, presidenti i bavarezëve deklaroi mbështetje të hapur për teknikun kroat. “Çfarëdo që të ndodhë në javët e ardhshme, unë do të mbështes teknikun Kovaç”, ka deklaruar ai.
Mbështetje e hapur që nuk ka nevojë për shumë diskutime. Bayern Munich ndodhet 4 pikë larg kreut, ndërkohë që në tre takimet e fundit ka marrë një barazim dhe dy humbje. Diçka e papranueshme për një skuadër që deri pak javë më parë fitonte çdo gjë si jashtë dhe brenda, por që të gjithë kanë besimin se situata do të ndryshojë.