Edhe vitin e kaluar ishte premtuar se ky objekt do të përfundojë fazën e parë por sërish nuk u përfundua. Këso premtime kishin dhënë të gjithë ministrat e kulturës pa përjashtim dhe jo rrallë herë i njëjti objekt është përdorur nëpër fushata të partive politike gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale
Urim HASIPI
Tetovë, 16 gusht – Objekti i Teatrit dhe Bibliotekës filloi të ndërtohet në vitin 2014, pikërisht më 28 nëntor. Atëherë u premtua se brenda katër vitesh do të ndërtohet tërësisht, por edhe sot e kësaj dite ende nuk ka përfunduar faza e parë, apo objekti në formën karabinë. Prej atëherë kur ka filluar të ndërtohet ky objekt e deri më sot në Ministrinë e Kulturës kanë ardhur dhe janë larguar tre ministra, ndërsa tashmë është ministri i katërt që drejton këtë dikaster, shkruan gazeta KOHA.
Objekti filloi të ndërtohet kur këtë ministri e drejtonte kuadër i VMRO-DPMNE-së, respektivisht Elizabeta Kamçevska. Më pas në këtë post erdhi Robert Alogjozovski, kuadër i LSDM-së. Pas tij në këtë post ishte edhe Asaf Ademi, kuadër shqiptar nga partia “Alternativa”. Edhe në kohën e këtyre dy ministrave ky objekt nuk arriti të kalojë fazën e parë apo të përfundojë. Tash në krye të Ministrisë së Kulturës është Hysni Ismaili, sërish një ministër shqiptar. Ky është ministri i katërt që duhet që të merret ende me fazën e parë të këtij objekti të një rëndësie të veçantë për kulturën në Tetovë, kur dihet se aktorëve u mungojnë hapësira me kushte më të mira, ndërsa lexuesve u mungon bibliotekë me leximore. Ai ka thënë se punët aktualisht janë në përfundim e sipër për sa i përket fazës së parë.
“Po, siç e dini unë jam vetëm një muaj e gjysmë në këtë post dhe aq sa jam marrë me këtë çështje, jam interesuar se edhe na tangon neve të gjithëve qytetarëve dhe Tetovës normalisht. Ndërtimi i Teatrit të Tetovës shkon në disa faza, në përfundim është faza e parë, pra faza e karabinasë. Pas përmbylljes së kësaj faze, fillon faza e dytë, faza e enterierit dhe faza e përfundimit të projektit”, deklaroi Ministri Ismaili.
Njëjtë si paraardhësit e tij, edhe Ismaili, ka dhënë premtime se nuk do të ketë pengesa që të përfundohet faza e parë. Ai ka pranuar se ka patur ngecje në të kaluarën. “Ndërtimi vazhdon, jemi duke e lëvizur këtë proces, që sa më shpejtë të mbaroj faza e parë që është një konstruksion jashtëzakonisht i madh. Ka patur ngecje për shkaqe të ndryshme, unë besoj që së shpejti do të flasim rreth fazës së dytë, mbaron faza e parë dhe hapet faza e dytë dhe vazhdon procesi më tutje”, theksoi ai.
Edhe vitin e kaluar ishte premtuar se ky objekt do të përfundojë fazën e parë por sërish nuk u përfundua. Këso premtime kishin dhënë të gjithë ministrat e kulturës pa përjashtim dhe jo rrallë herë i njëjti objekt është përdorur nëpër fushata të partive politike gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale. Sipas drejtuesve të qendrës për kulturë, aktualisht ka mbetur një pjesë e vogël e fasadës së jashtme pa u përfunduar dhe duhet të vendoset konstruksioni i hekurt që është para objektit. Sipas informacioneve, pagesat janë duke u kryer në rregull dhe pritet që deri në fund të vitit të përfundojë ndërtimi i objektit. Objekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës do të shtrihet në një hapësirë prej 30 mijë metra katrorë dhe do të kushtoj 13 milionë euro. Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh.
Nga ana tjetër, më shumë se dhjetë vite objekti aktual i Qendrës për Kulturë përballet me mungesë të ngrohjes gjatë dimrit, ndërsa gjatë verës nuk aktiviziohet klima për freskim të ambienteve. Pothuajse shumë ngjarje që mbahen në qendrën për kulturë gjatë dimrit vet organizatorët sjellin naftë për të ngrohur ambientin si pasojë e mungesës së naftës. (koha.mk)