Katër gjërat që pritet të ndodhin gjatë kësaj jave

RAMAZANI

Fundjavën e ardhshme fillon muaji i Ramazanit, kur 1.6 miliardë besimtarë myslimanë në të gjithë botën do të nisin agjërimin. Ushqimi, pijet, duhani, seksi dhe “sjelljet mëkatare” janë të ndaluara gjatë kësaj periudhe për besimtarët e devotshëm.

DËSHMIA E AVOKATIT TË TRUMP

William Barr, avokati i përgjithshëm i Donald Trump, do të dëshmojë gjatë kësaj jave përballë dy komiteteve të Senatit amerikan lidhur me raportin hetimor të prokurorit special Robert Mueller. Pas përmbylljes së këtij raporti, avokati Barr doli në një konferencë shtypi dhe paraqiti një version të reduktuar të këtij raporti. Demokratët e akuzuan avokatin e Trump për sjellje partiake dhe mashtrim të publikut. Tani ai është thirrur për të dëshmuar në dy komitete.

PERANDORI I RI NË JAPONI

Të martën, Princi i Kurorës, Naruhito do të bëhet Perandori i ri i Japonisë. Është fillimi i një epoke të re, të quajtur Reiwa, që nënkupton rendin dhe harmoninë. Me këtë rast, vendi do të ketë festë 10-ditore dhe shumë biznese e institucione do të mbyllen. Bankat do të jenë pushim dhe qeveria ka këshilluar qytetarët që të tërheqin paratë para mbylljes së bankave.

ETHET NË PREMIER LEAGUE

Manchester City dhe Liverpool janë dy skuadrat favorite për të fituar Premier League, kampionatin anglez të futbollit. Dy ekipet janë “kokë më kokë” dhe fituesi mund të përcaktohet edhe këtë fundjavë. Liverpool do të udhëtojë drejt Newcastle United, kurse Manchester City luan me Leicester City.