Të fitosh 4 Champions League në 5 vite është një ëndërr që kushton shumë. Nga viti 2013 e deri në sezonin e shkuar, Reali i Madridit ka dyfishuar rrogat, duke kaluar nga 145 milionë euro në 280 milionë në vitin e fundit. Një rritje që sigurisht justifikohet me shtimin e të ardhurave, por sigurisht nuk ka ndërmend të ndalet, edhe tani që kampionët e Champions League nuk kanë në organikën e tyre Cristiano Ronaldon, i cili merrte 50 milionë euro bruto. Sipas mediave spanjolle, rroga e portugezit është shpërndarë tek blerjet e reja, me portierin Thibaut Courtois në krye, e do të shërbejë për rinovimin e lojtarëve kyç siç është Luka Modric. 280 milionëve euro bruto të shpenzuara deri në sezonin e shkuar, i shtohen këtu 54,8 milionë euro shpërblime, 2.7 mililionë për të drejtat imazhit, për një total që arrin rreth 340 milionë euro të shpenzuara nga “Los Blancos” vetëm për ekipin e parë. Të fitosh kushton shumë, por gjithashtu të mbrosh lojtarët e mëdhenj nga klube shumë të fuqishme ekonomike si PSG e Manchester City nuk është pak. Për këtë arsye, në muajt e shkuar, në Madrid kanë blinduar me rinovimet e kontratave futbollistë si Marcelo, Asensio, Isco, Benzema, Carvajal dhe Varane, duke i vënë gjithashtu klauzola të frikshme për prishjen e tyre. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe rivalët e përjetshëm të Realit, Barcelona, që në 2013 paguante 115 milionë euro për rrogat, ndërsa në 2017, viti i fundit me të dhëna zyrtare, rrogat kanë shkuar në 225 milionë.