Katër amandamentet e morën mbështetjen në Komisionin për çështje kushtetuese

Shkup, 12 nëntor Komisioni për çështje kushtetuese, duke punuar gjatë fundjavës, me miratimin e projekt-amandamentit të katërt e përfundoi debatin rreth projekt-amandamenteve të Kushtetutës dhe ato dërgohen në mbledhje plenare e cila është caktuar për më 1 dhjetor të këtij viti.

Debati rreth amandamenteve në Komision filloi më 7 nëntor dhe ishte paraparë të zgjasë 12 ditë, përkatësisht nga tre ditë për secilin nga amandamentet e propozuara.

Me amandamentin e parë propozohet zëvendësimi i fjalëve Republika e Maqedonisë me Republika e Maqedonisë Veriore çdokund në Kushtetutë, përveç në nenin 36 ku ka aspekt historik, me të dytin në Preambulën e aktit më të lartë juridik vendimet e KAÇKM-së zëvendësohen me Manifestin e KAÇKM-së dhe shtohet Marrëveshja kornizë e Ohrit, me  të tretin shtohet paragraf i ri me të cilin deklarohet respektim i sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të shteteve fqinje, përderisa me amandamentin e katërt propozohet që krahas konfirmimit të identitetit maqedonas, të qëndrojë se Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të vet të cilët jetojnë apo qëndrojnë jashtë vendit dhe i avancon lidhjet e tyre me ardheun.

Projekt amandamentetet dolën nga nevoja për implementim të Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, ndërkaq sipas kryeministrit Zoran Zaev meritojnë mbështetje nga të gjithë deputetët në emër të integrimeve evropiane dhe realitetit të ri politik.

Konfirmimi i projekt-amandamenteve të Kushtetutës nga ana e Kuvendit është faza e dytë e procedurës për ndryshim të Kushtetutës. Projekt-amandamentet konfirmohen me shumicë të thejshtë prej 61 votave, pas çka ato shkojnë në debat publik.

Në këtë fazë të ndërmjetme, Qeveria duhet t’i përgatitë propozim-amandamentet dhe t’ia parashtrojë Kuvendit. Prej momentit të parashtrimit të propozim-amandamenteve në Kuvend deri në mbajtjen e mbledhjes plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë së paku 30 ditë. Propozim-amandamentet duhet të shqyrtohen nga Komisioni ligjdhënës-juridik dhe Komisioni për çështje kushtetuese, ndërsa në fund edhe në mbledhje plenare.

Vendimi përfundimtar për miratim të amandamenteve sillet me shumicë prej dy të tretave apo së paku 80 votave. Për amandamentin e Preambulës së Kushtetutës, përveç shumicës prej dy të tretave nevojitet edhe shumica e Badinterit.