Shkup, 20 dhjetor – Pas dy viteve shkëputje, prej këtij viti do të rinisin sërish studimet e shkallës e magjistraturës në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Këshilli për Akreditim të Institucioneve të Arsimit të Larët ka miratuar kërkesat për akreditimin e katër profesorëve të tjerë mentorë, me çka janë plotësuar kërkesat ligjore për organizmin e studimeve të shkallës së dytë. Prof. dr. Asllan Hamiti, shpjegon se mungesa e mentorëve të akredituar nuk ishte për mungesë të kuadrove me kualifikimet e kërkuara, por për mos-koordinim të mirë në relacionet mes universitetit dhe fakultetet, respektivisht mos informim në kohë se duhet të bëhen kërkesat për akreditim të mendorëve. “Edhe ne, si shumë katedra të tjetra të fakultetit nuk ishim njoftua me kohë se duhet të bëhen kërkesat për akreditimin e mentorëve, pra të atyre profesorëve që kanë të drejtë të marrin në udhëheqje kandidatët për magjistra ose doktorantë. Katedra e shqipes ka vite që organizon studime të doktoraturës (ku kriteret për profesorët mendorë janë shumë më të larta se sa për studimet e magjistraturës), kështu që nuk është se mund të kemi ndonjë problem me stafin akademik”, pohon për KOHA, Hamiti. Mirëpo, plotëson më tej ai, nuk di për çfarë arsye vitin e kaluar nuk ishim të njoftuar se duhet që vetë profesorët të bëjnë kërkesa për lejen e akreditimit të tyre si mentor. Mos informimi në kohë, sipas prof. Hamitit, ishte arsyeje e vetëm që Katedra e Gjuhës Shqipe nuk mundi të formojë vitin që shkoi grupet e studentëve të magjistraturës. Mos akreditimi i mentorëve për vitin e kaluar akademik 2015/2016, ishte problem në nivel të disa fakulteteve të Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërkaq sa i takon Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski”, pjesë e të cilës është edhe Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, çështja e mos akreditimit u përfol edhe si ngatërresë e qëllimshme nga ana e vetë fakultetit. Jo zyrtarisht, problemi lidhej me mosinteresimin për këto lloj studime në Katedrën e Gjuhës Maqedonase për disa vite me radhë. Kjo sipas pretendimeve të njëjta ishte shkaku që fakulteti dërgoi në Drejtorinë e rektoratit të UKMS-së, kërkesat për akreditimin e mentorëve me vonesë dhe këta të fundit në Këshillin e Akreditimit. Vitin e kaluar, për studimet master në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ishin paraqitur rreth 16 kandidatë, të cilët mjaftonin për formimin e dy grupeve: studime master në fushën e gjuhës dhe studime master në fushën e letërsisë. Me ndryshimet e reja të cilat janë bërë në sistemin e studimeve të shkallës së dytë dhe shkallës së tretë, pavarësisht numrit që mund të ketë një grup i caktuar studentësh, një profesor und mund të jetë udhëheqës, respektivisht mentor i më shumë se tre magjistrave-kandidatë, respektivisht kandidatëve doktorantë. Kjo, është vënë si mekanizëm për kontrollin e cilësisë në studimet pos-diplomike, pasi presupozohet se mos kufizimin në të kaluarën i numrit të kandidateve magjistra apo doktorë (me të cilët mund të udhëhiqte një profesor mentor) nxit vetëm kuantitetin. Sakaq, vendosja e mekanizmi me të cilin kufizohet numri i kandidatëve të një mentori të caktuar mendohet to shërbejë cilësisë. Konkretisht, frenimi i kuantitetit pritet të kontribuojë në rritjen e cilësisë së studimeve posdiplomike, respektivisht titujve të magjistraturës dhe doktoraturës. (L.P)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.