Katastrofa globale që duhet të shmangim

11

Në Lagos, në Nigeri, udhëtova në rrugë të pandriçuara përgjatë së cilave njerëzit mblidheshin rreth zjarreve të ndezura në fuçi të vjetra nafte. Në fshatrat e largëta, Melinda dhe unë takonim gra dhe vajza që kalonin disa orë në ditë duke mbledhur dru për të ndezur zjarrin e gatimit në shtëpitë e tyre. Takonim fëmijë që detyrat i bënin nën dritën e kandilit sepse në shtëpi nuk kishte rrymë elektrike

Nga Bill GATES

Ka dy numra që duhen ditur nëse flitet për ndryshime klimatike. I pari është pesëdhjetë e një miliardë. I dyti është zero. Pesëdhjetë e një miliardë është numri i tonelatave të gazit serrë që emetohen në atmosferë çdo vit në botë. Megjithëse kjo shifër mund të rritet ose mund të ulet nga një vit në tjetrin, zakonisht rritet. Kjo është situata aktuale. Zero është numri që duhet të synojmë. Për të ndaluar ngrohjen globale dhe për të shmangur efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike, të cilat do të jenë shumë të rënda, qeniet njerëzore duhet të reshtin së prodhuari gazra serrë në atmosferë. Duket diçka shumë e vështirë, sepse do të jetë e tillë. Botës kurrë më parë nuk i është dashur të përballojë një sfidë të tillë. Çdo vend do të detyrohet të ndërrojë zakonet e veta. Praktikisht nuk ka aktivitet të jetës moderne që nuk shkakton emetimin e gazeve serrë dhe me kalimin e kohës një numër më i madh njerëzish do të zhvillojnë këtë stil të jetës moderne. Kjo është pozitive sepse do të thotë se kushtet e tyre të jetës po përmirësohen. Nëse nuk do të ketë ndryshime të tjera, bota ama do të vazhdojë të prodhojë gaze serrë, ngrohja globale do të vijojë të përkeqësohet dhe ndikimi te qeniet njerëzore do të jetë me shumë mundësi katastrofik.

“Nëse nuk do të ketë ndryshime të tjera” ama është një “nëse” e madhe. Besoj se situata mund të ndryshojë. Kemi tashmë disa prej mjeteve për të cilat kemi nevojë, ndërsa përsa i përket atyre që nuk i zotërojmë ende, gjithë sa kam mësuar nga ndryshimet klimatike dhe mbi teknologjinë më bën optimist mbi mundësinë për t’i shpikur, për t’i implementuar dhe duke reaguar me shpejtësinë e mjaftueshme, për të shmangur një katastrofë klimatike.

Ky libër që kam shkruar shpjegon hapat e nevojshëm që duhen kryer dhe arsyet për të cilat jam i bindur se mund t’ia dalim. Njëzetë vite më parë nuk do të kisha imagjinuar se një ditë do të flisja në publik për ndryshimet klimatike dhe aq më pak e mendoja shkrimin e një libri mbi këtë temë. Vij nga informatika, jo nga studimet klimatike dhe tashmë i jam dedikuar me kohë të plotë Fondacionit Gates së bashku me gruan time Melinda ku përqendrohemi thuajse plotësisht në zhvillimin e shëndetësisë në nivel global dhe në zhvillimin e arsimit në Shtetet e Bashkuara. Në vitet e para të mijëvjeçarit të ri, kur fondacioni ynë ishte ende në hapat e parë, nisa të udhëtoja në vendet e varfra të Afrikës subsahariane dhe të Azisë jugore për shkak se doja të njihja nga afër vdekshmërinë foshnjore, Hiv-in dhe të tjera probleme të mëdha për të cilat po punonim. Por në krye të mendimeve të mia nuk ishin vetëm sëmundjet. Kur avioni ulej në qytetet e mëdha shihja jashtë dritares dhe pyesja përse është kaq errësirë jashtë? Ku janë gjithë ato drita që do të shihja nëse do të isha në Nju Jork, Paris apo Pekin?

Në Lagos, në Nigeri, udhëtova në rrugë të pandriçuara përgjatë së cilave njerëzit mblidheshin rreth zjarreve të ndezura në fuçi të vjetra nafte. Në fshatrat e largëta, Melinda dhe unë takonim gra dhe vajza që kalonin disa orë në ditë duke mbledhur dru për të ndezur zjarrin e gatimit në shtëpitë e tyre. Takonim fëmijë që detyrat i bënin nën dritën e kandilit sepse në shtëpi nuk kishte rrymë elektrike.

Zbulova se rreth një miliardë njerëz nuk kishin akses të garantuar në energji elektrike dhe gjysma e tyre jetonin në Afrikën subsahariane. (Prej asaj kohe panorama është përmirësuar lehtësisht. Sot janë 860 milionë njerëz pa energji elektrike). Mendova për sloganin e fondacionit tonë: “Të gjithë meritojnë të jetojnë një jetë të shëndetshme dhe produktive” dhe se sa e vështirë bëhet ruajtja e shëndetit nëse qendra mjekësore nuk mund të mbajë në temperatura të freskëta vaksinat kur frigoriferët nuk funksionojnë. Është e vështirë të jesh produktiv kur nuk ke dritë për të lexuar. Është e pamundur të ndërtosh një ekonomi ku të gjithë kanë mundësi punësimi në mungesë të sasive të nevojshme të energjisë elektrike me kosto të ulët për zyrat, fabrikat dhe qendrat call center. Në atë kohë nuk e kisha kuptuar ende nevojën për të arritur në zero emetime. Vendet e pasura, përgjegjëse në pjesën më të madhe për këto emetime, kishin nisur t’i kushtonin vëmendje ndryshimit klimatik dhe mendoja se kaq gjë do të mjaftonte. Besoja se kontributi im do të ishte thjesht t’u siguroja prodhimin e energjisë për të varfrit.

Nga një anë, janë ata që kanë më shumë për të fituar. Aksesi në energji më pak të kushtueshme nuk do të nënkuptonte vetëm disponueshmërinë e ndriçimit në errësirë, por edhe plehe më të leverdishme për fushat dhe çimento me çmim të mirë për shtëpitë e tyre. Por nga ana tjetër, në ndryshimin klimatik, janë të varfrit ata që humbasin më shumë. Shumica dërrmuese e tyre janë fermerë të cilët tashmë jetojnë në prag të mbijetesës dhe nuk mund t’i bëjnë ballë thatësirave ose përmbytjeve më të shpeshta.

Qëndrimi im ndryshoi rreth fundit të vitit 2006 kur takova dy ish-kolegë në Microsoft që po nisnin aktivitetet e tyre jo fitimprurëse në fushën e burimeve të energjisë dhe të klimës. Së bashku ishin edhe dy ekspertë të klimës mbi këto probleme dhe të katërt ata më treguan të dhënat që mblidhnin dhe emetimet e gazeve serrë në ndryshimin klimatik. E dija se gazet serrë shkaktonin një rritje të temperaturës, por e kisha të sigurt se ndodhnin variacione ciklike ose faktorë të tjerë, në gjendje për të parandaluar në mënyrë natyrale një katastrofë klimatike. Ishte e vështirë të pranoja idenë se për sa kohë qeniet njerëzore do të vazhdonin të emetonin çfarëdo sasie gazi serrë, temperaturat do të vijonin të rriteshin.

Iu ktheva disa herë grupit me pyetje të tjera. Në fund e mora mesazhin. Bota do të duhej t’u ofronte më shumë energji të varfërve derisa të arrinin të zhvilloheshin, por do të duhej ta bënin pa emetuar gaze të tjera serrë. Tani problemi bëhej më i ndërlikuar. Nuk mjaftonte vetëm sigurimi i shpërndarjes së energjisë së besueshme dhe me çmim të mirë, por do të duhej të ishte edhe energji e pastër. U mundova të mësoja sa më shumë të ishte e mundur rreth ndryshimit klimatik. Takova ekspertë të klimës dhe të energjisë, të oqeaneve dhe të niveleve të deteve, të akujve dhe të rrjeteve elektrike ashtu sikundër edhe të fushave të tjera. Lexova raporte të publikuara nga Grupi Ndërqeveritar i Ndryshimeve Klimatike, një komision i Kombeve të Bashkuara që pranon faktet shkencore në këtë çështje. Pashë Earth’s Changing Climate, serinë e mrekullueshme të videoleksioneve nga profesor Richard Wolfson, e vënë në dispozicion nga Great Courses. Lexova Weather for Dummies, që edhe sot është një ndër librat më të mirë mbi klimën që kam lexuar ndonjëherë.