Gareth Bale mund të jetë në sezonin e tij të fundit në Madrid, teksa për të parashikohet një largim drejt Anglisë, pasi Zidane nuk e preferon në skuadër. Sulmuesi uellsian ka 6 vite që mban veshur fanellën e bardhë. Ishte viti 2013 kur Real Madrid e bleu për 101 milionë euro nga Tottenham. Kjo shifër e bën atë lojtarin më të shtrenjtë në historinë e klubit madrilen.
“The Guardian” ka zbuluar se Bale i ka kushtuar 236 milionë euro deri më sot klubi spanjoll, duke llogaritur shumën e shpenzuar për blerjen dhe pagat e lojtarit. Shifër që kalon shumën e shpenzuar nga PSG për blerjen e Neymar nga Barcelona.
Sipas të dhënave të analizuar nga gazeta britanike, Bale i kushtoi Realit 16.8 milionë euro vetëm nga paga e tij bruto në tre sezonet e para. Në tre sezonet e dyta 29-vjeçari rinovoi kontratën dhe i kushtoi klubit plot 27 milionë euro pagë bruto, teksa lojtari përfiton vetë 15 milionë euro në sezon.
Duke llogaritur pagën bruto të lojtarit për 6 sezonet e qëndrimit të tij në Madrid, janë 135 milionë euro që i kanë kushtuar klubit spanjoll. Po të llogarisim edhe 101 milionë eurot e shpenzuara për blerjen nga Tottenham, shifrat shkojnë në 236 milionë euro të shpenzuara në 6 sezone për Bale.