Katarit mund t’i hiqet organizimi i Kampionatit Botëror 2022, nëse zbulohet se janë blerë votat

Katarit duhet t’i hiqet organizimi i Kampionatit Botëror 2022, nëse vërtetohet se votat janë të blera, ka thënë Damian Collins, kryetari i dhomës Digjitale, Kulturore, Mediale dhe Sportive.

Ish-presidenti i UEFA-s dhe nënkryetari i FIFA-s, Michel Platini, ishte arrestuar dje nga policia në Francë, për shkak të akuzave për korrupsion në shortin e Kampionatit Botëror për 2022.

“Platini duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve në lidhje me akuzat për organizmin e Kampionatit Botëror 2022. Ai u arrestua nga polica e Francës, andaj mendoj se e meritojmë një shpjegim nga ai”, ka thënë Collins.

“Nuk mund të ketë diçka më serioze se sa arrestimi i një ish-presidenti të UEFA-s për korrupsion. Kështu, ne duhet të shikojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe nëse është e vërtetë se votat janë blerë, atëherë organizimi duhet t’i kalojë një vendit tjetër”.

“Ndoshta UEFA duhet ta ndryshojë menjëherë kandidatin për organizimin e Kupës së Botës, duke mos humbur kohë, pasi mendoj se aty ka diçka të vërtetë”, ka shtuar më tej ai.

Avokatët e Platinis kanë bërë të ditur pas arrestimit se akuzat janë të pavërteta dhe se ata janë të bindur në pafajësinë e legjendës franceze, por që në ditët në vijim pritet të qartësohet situata.