Katari mbetet në pozitën e parë kur janë në pyetje të ardhurat kombëtare për kokë banori me 129.726 dollarë për vitin e kaluar i shprehur në Barazinë e Fuqisë Blerëse (BFB) edhe pse çmimi i gazit dhe naftës ka vazhduar të jetë i ulët, raporton Anadolu Agency (AA). Sipas informacioneve që gazetari i AA-së i ka përpiluar nga të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB), Katari, vendi me rezervat e tretë më të mëdha në botë të gazit dhe popullsisë prej afërsisht dy milionë e 200 mijë banorë, në vitin 2015 ka pasur të ardhura kombëtare prej 132.870 dollarë sipas BFB-së, ndërsa kjo shifër ka rënë në vitin 2016 për 3.144 dollarë, konkretisht në 129.726 dollarë. Edhe krahas rënies së të ardhurave kombëtare sipas BFB-së, Katari ka ruajtur vendin e tij në krye të listës. Ndërkaq, në vendin e dytë sipas të ardhurave kombëtare për kokë banori në bazë të BFB-së vitin e kaluar ishte Luksemburgu, i cili rriti të ardhurat për 2.431 dollarë për ta çuar shifrën në 101.936 dollarë. Këtë shtet e ndoqën Singapori me 87.082 dollarë dhe Kuvajti me 71.263 dollarë. Ndërkohë, pas tyre radhiten Irlanda me 69.374 dollarë, Norvegjia me 69.296 dollarë, Emiratet e Bashkuara Arabe me 67.696 dollarë, Zvicra me 59.375 dollarë, SHBA-të me 57.293 dollarë dhe Arabia Saudite me 54.078 dollarë. Turqia, të ardhurat kombëtare për kokë banori sipas BFB-së prej 20.420 dollarë në vitin 2015 i ka ngritur në 21.146 dollarë vitin e kaluar, për t’u radhitur në vendin e 63-të në mesin e 189 shteteve. Nga ana tjetër, shteti që është radhitur i fundit sipas të ardhurave kombëtare për kokë banori është Republika e Afrikës Qendrore me 656 dollarë në vit, të cilën e ndjekin Republika Demokratike e Kongos me 785 dollarë, Burundi me 818 dollarë, Liberia me 882 dollarë dhe Republika e Nigerit me 1.114 dollarë. Sipas Entit Statistikor të Turqisë, BFB definohet si norma e kostos së shportës së mallrave dhe shërbimeve në shtete të ndryshme. Përmes saj, mënjanohen diferencat e shkallës së kostos midis shteteve dhe bëhen krahasime të realta të kostove dhe vëllimeve në aspektin ndërkombëtar.