“Katar 2022”, raporti i Amnesty: Punëtorët s’paguhen prej muajsh

Një tjetër skandal ka shpërthyer mbi Botërorin e Katarit. “Amnesty International” ka përpiluar një raport, sipas të cilit dhjetëra punëtorë të impenjuar në përgatitjet për këtë turne nuk janë paguar prej muajsh.
Në raportin e organizmit për të drejtat e njeriut theksohet se, për këta punëtorë, që janë kryesisht nga Nepali, India dhe Filipinet, shifra e akumuluar nga mosdhënia e pagave varion nga 1.370 në 2.470 dollarë, pagë që duhej të akordohej nga kompania “Mercury MENA”.
“Amnesty International” e publikoi raportin pasi kishte intervistuar 78 punëtorë të “Mercury MENA”, por vlerëson se të përfshirë janë qindra persona.

Por. jo vetëm kaq! Për shkak të mungesës së pagave, punëtorët kanë mbetur të bllokuar në Katar dhe nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt vendeve të tyre. Kjo, edhe për faktin se ligji vendas iu imponon atyre që të marrin leje nga punëdhënësi për t’u larguar nga vendi.

“Amnesty” ka specifikuar ndër të tjera se, në vitin 2017, shefi ekzekutiv i “Mercury” deklaroi se kompania e tij ishte viktimë e partnerëve tregtarë të paskrupuj, që kanë shkaktuar këto probleme me pagat.

Ndërsa ministri i Punës në Katar ka dalë me një deklaratë, ku theksonte se abuzime të tilla mbi punëtorët nuk tolerohen në këtë vend dhe se janë hapur procedimet gjyqësore kundër “Mercury”. Në lidhje me këtë histori ka reaguar edhe FIFA, që ka deklaruar se ky fakt nuk është i lidhur në asnjë mënyrë më këtë institucion dhe Botërorin e vitit 2022.