KASTRIOT KOLA: Ju këndoj traditave, natyrës dhe femrave të bukura mirditore (FOTO)

26

Njeriu gjithmonë është në kërkim për më të mirën dhe unë ashtu jam, por mund të them që 30 vjet në skenë nuk janë pak. Janë një jetë me dashuri për muzikën

Bisedoi: Blerand REXHEPI

Folklori muzikorë shqiptarë është jashtëzakonisht i pasur gjë që shprehet edhe në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi. Muzika popullore shqiptare përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Kjo rrymë muzikore edhe sot po vazhdon të jetë ndër të preferuarat në trevat shqiptare. Zëri më i dëgjuar deri tani, mund të konsiderohet ai i këngëtarit Kastriot Kola i cili ka mbi 30 vite që këndon në skenë dhe brumin këngëve të tij e e merr nga folklori. Karrierën në muzikë ai e ka nisur qenë moshën 5-vjeçare duke u frymëzuar nga i ati i cili gjatë gjithë jetës ka luajtur në vegla frymore si fyell, bilbil dhe kavall. Ai është rritur artistikisht në Pallatin e Kulturës Rrëshen nga ku u përzgjodh si solist shumë i talentuar me këngën e Zefit të Vogël. Rrësheni e ka “detyruar” të kthehet 3 herë në skenë artistin e këngëve epike dhe lirike. Një detaj interesant vlen për t’u përmendur është se Kastrioti është edhe pjesë e forcave të rendit dhe ka premtuar që do jetë gjithnjë në shërbim të vendit të tij. Dy drejtime te kundërta nga njëri-tjetri nuk e kanë penguar apo vështirësuar aspak punën e tij. Një marrëdhënie e jashtëzakonshme ai ka edhe më njerëzit ku jeton edhe pëlqejnë artin e tij. E vlerësojnë për përkushtimin dhe vullnetin që ka për të punuar. Ai i këndon traditave, natyrës dhe femrave të bukura mirditore.

KOHA: Kastriot përshëndetje, nëse do ishe përpara një jurie muzikore, si do ishe prezantuar?

Unë kam vite që jam pjesë e skenës dhe për më tepër se 30 vjet kam kënduar kudo nëpër Shqipëri dhe jashtë saj, Amerikë e Europë! Kam lindur në Mirëditë dhe prej shumë vitesh gjithashtu jam punonjës policie në Lezhë ku edhe jetoj me familjen. Muzika është pasion im i hershëm sepse vij edhe nga nje familje me baza muzikore, babai im ishte një instrumentist i shkëlqyer, luante fyellin. Unë jam rritur me muzikë në familje, prandaj dhe muzika u bë pjesë e imja e pandashme! Kam fituar mbi 40 çmime në festivale e konkurse muzikore popullore e folklorike ndër vite dhe kjo më ka bërë që të vazhdoj edhe më tej. Këndoj në dasma e gëzime famijare prej vitesh dhe jam pjesë e familjeve shqiptare në gëzimet e tyre. Këndoj muzikën popullore e taban kam folklorin. Punoj nëpër dasma më shumë kolegë por më atë afërtin kam Pavlin Kolën me të cilin kam dhe bashkëpunime në muzikë.

KOHA: Nëpër youtube apo kudo ku këndon të shoqëron edhe një emër tjetër Milici, ka ndonjë histori të veçantë ky emër?

Ky mbiemër Milici ka ngel pasi i pari i fisit tim në Kosovë u bë drejtues i lartë në polici,po ishin nën regjimin serb, dhe policit ata i thonë milic. Ai nuk pranonte t’i nënshtrohej urdhrave te komandës serbe kundër Kosovës dhe e vranë serbët,pastaj kur u mor vesh nga Kosova dhe kur shkuan me pi kafe ngushëllime thonin “po shkojmë te ai Milici, jo polici” Kjo është historia e emrit Milici, histori e vërtetë dhe e veçantë.

KOHA: Nëpër cilën rrugë i ke hedhur hapat në muzikë? 30 vjet në skenë janë tre dekada art, i ke arritur të gjitha synimet profesionale?

Njeriu gjithmonë është në kërkim për më të mirën dhe unë ashtu jam, por mund të them që 30 vjet në skenë nuk janë pak. Janë një jetë me dashuri për muzikën. Recitali im “30 vjet në skenë me ju” pati një sukses të madh dhe kjo u realizua vetëm në saje të bashkëpunimit me Bashkinë Mirditë me kryetar Ndrec Deda, Qendra kulturore Mirditë me drejtor Gjergj Marku, Ansambli Mirdita Mjeshtër i Madh, ku edhe jam solist, prezantues Llesh Nikolla e në fund mirënjohje nga Këshilli Bashkiak! Kane qene emocione të papërshkrueshme që do mbeten gjatë në memorie.

KOHA: Kastriot, emocionet të japin nxitje për të kënduar apo kënga të jep emocion?

Mendoj se është lidhje e ndërsjellë, dhe marrin nga njëra tjetra.

KOHA: Të jesh artist çdo të thotë për ju?

Të jesh artist për mua nuk është thjesht të hipësh në skenë dhe të këndosh. Duhet të jesh i kompletuar si njeri, i thjesht, i dashur dhe me një zemër të madhe.

KOHA: A ka rregulla të caktuara për të pasur sukses në art?

Ka nevojë për shumë punë, përkushtim dhe shumë talent sigurisht. Talentin o e ke o se ke dhe nëse e ke e përmirëson, bëhesh dikushi në jetë në atë që ti do më shumë, artin.

KOHA: Këngët e mira janë në dorën e këngëtarit apo të kompozitorëve?

Mendoj se të dy kanë përgjegjësinë dhe peshën e tyre, kompozitori duhet të kuptojë se çfarë kërkon këngëtari në atë studio ndërsa këngëtari duhet të bëjë maksimumin për të nxjerrë në pah punën e kompozitorit dhe t’a përcjellë tek publiku.

KOHA: Në një dhomë të mbushur me art, çfarë do të ta tërhiqte syrin?

Instrumentet që dua më shumë, çiftelinë dhe sharkinë!

KOHA: Ambiciet më të mëdha i kë të fokusuara në…

Çdo këngëtar ka stilin e vetë në të kënduar. Tregu është i madh shijet e dëgjuesve janë të shumta, në fund të fundit është spektatori, që të vlerëson se kush je, dhe sa i “famshëm” je. Mua nuk më mban muzika dhe as e bëj për famë. Unë kam miqtë, shokët, fansat e mi që më pëlqejnë ky që jam dhe nuk do ndaloj, sa të kem frymën do këndoj. Muzikën e kam pasionin ëndrrën time që më mban gjithmonë të ri.

KOHA: Si e gjen kohën për t’u marrë edhe me muzikë dhe me punën që bën në polici?

Edhe pse jam shumë i zënë me punë, kohën për muzikën e kam gjetur gjithmonë. Mendoj se nëse e do diçka gjen gjithmonë kohë dhe ia arrin.

KOHA: Pa cilat gjëra nuk do jetoje dot?

Për mua kryesore është familja. Dua që dhe njerëzit miqtë shokët të afërmit që më rrethoje ti shoh më mirë se veten të qeshur. Përcjell vetëm energji pozitive kjo më bën të ndihem mirë.