Përfaqësueses U-21 të Kosovës, në stërvitjen e sotme, para ndeshjes së 9 shtatorit ndaj Anglisë U-21 në kualifikimet për Euro 2021, i është bashkuar edhe lojtari Lirim Kastrati. Ai përpos që ka folur rreth ecurisë së seancës stërvitore, foli edhe rreth situatës të krijuar së fundi me trajnerin e kombëtares A, Bernand Challandes. Kastrati u shpreh se ka folur me zviceranin dhe së bashku kanë vendosur që ai edhe kësaj radhe t’i bashkohet kombëtares së drejtuar nga Rafet Prekazi.
“Jemi marrë vesh me trajnerin se ma mirë me shku tek U21 që me pas minutazh me lujt. Edhe besoj që si herën e kaluar që kam ardhur me U21, kam luajt një ndeshje me Turqinë shumë të mirë dhe besoj që edhe kjo do të jetë njësoj, kundër Anglisë. Jo unë çdo intervistë e kam thënë që do të jap maksimumin për Kosovën, pa marrë parasysh se te cila grupmoshë unë ftohen. Unë dua që vetëm mi ndihmu Kosovës, kështu që nga banka rezervë është vështirë, kështu që më mirë tek U21, por pata mundësi do të luaj edhe për U19”, u shpreh për KosovaPress, Lirim Kastrati, përcjellë gazeta KOHA.