Së bashku me Myrtu Uzunin, Lirim Kastrati ishte njëri prej futbollistëve kryesorë të Lokomotivës së Zagrebit në edicionin që lamë pas. Pas Uzunit, edhe Kastrati ia ka dhënë lamtumirën e fundit klubit elitar kroat. Futbollisti i Kosovës do t’i bashkohet klubit më të madh kroat, Dinamo Zagreb, nga edicioni i ardhshëm. Përmes rrjeteve sociale, Kastrati e ka publikuar letrën lamtumirës drejtuar bashkëlojtarëve të tij te Lokomotiva.
“Nuk është kurrë e lehtë të lësh një familje, të largohesh nga shtëpia. Këto vite Lokomotiva ishte familja ime, shtëpia ime e dytë”, shkruan fillimisht Kastrati në këtë letër. “Faleminderit që më keni ndihmuar në aventurën time, nuk do t’ju harroj kurrë dhe gjithmonë do të jem i lumtur kur të kthehem këtu. Tani koha është për sfida të reja”, shkruan Kastrati në mes të tjerash.