Mosmarrëveshja rreth Kashmirit ka helmuar marrëdhëniet midis Indisë dhe Pakistanit qëkur të dyja u bënë vende të pavarura më 1947-n. Këtu është një përmbledhje se si tensionet janë rritur në mënyrë të rrezikshme gjatë shtatë dekadave të fundit, transmeton gazeta “Zëri”
Sikurse shumë konflikte në gjithë botën, mosmarrëveshja rreth Kashmirit filloi me pavarësinë nga një fuqi koloniale. Më 1947-n Mbretëria e Bashkuar iu dorëzua luftës për liri në koloninë e saj indiane dhe i dha asaj pavarësi. Britanikët që u tërhoqën lanë pas dy shtete: Unionin Laik Indian dhe Republikën Islamike të Pakistanit.
Ndarja e Indisë më 1947-n paraqiti një problem për shtetin e atëhershëm princëror Jammu dhe Kashmir, i vendosur menjëherë përgjatë kufirit verior të të dyja shteteve të reja. Tradicionalisht, shteti drejtohej nga një Maharaja hindu (sundimtar lokal), por shumica e popullsisë ishte myslimane. Duke shpresuar që të mundë ta shpallte territorin e tij të pavarur, Maharaja Hari Singh fillimisht nuk u bashkua me Indinë dhe me Pakistanin, ku të dyja vendet u interesuan për këtë konstelacion të veçantë shoqëror në Luginën e Kashmirit. Edhe sot e kësaj dite India e sheh veten si një komb laik, në të cilin bashkëjetojnë disa fe. Kjo e bën Jammun dhe Kashmirin krahinën e vetme me shumicë myslimane, një pjesë e rëndësishme e pluralitetit fetar të Indisë, përcjell “Zëri”.
Në atë kohë Pakistani e shihte veten si shtëpia e të gjithë myslimanëve në Azinë e Jugut. Babai i tij themelues, Muhamed Ali Xhenah, parashikonte Pakistanin dhe Indinë si kombe të veçanta myslimane dhe hindu në nënkontinent. Deri në vitin 1971 Bangladeshi, i cili ndodhet në lindje të Indisë, ishte pjesë e Pakistanit.
LUFTËRAT NË KASHMIR
Ndërsa Maharaja hezitonte ta bënte Kashmirin pjesë të ndonjërit vend, në vitin 1947 guerilët pakistanezë u përpoqën të vinin nën kontrollin e tyre principatën e Kashmirit. Hari Singh iu drejtua Nju-Delhit për ndihmë dhe nuk u desh shumë kohë që trupat nga India dhe Pakistani të përballeshin. Lufta e parë për Kashmirin filloi në tetor të 1947-s dhe përfundoi në janar të 1949-s me ndarjen de fakto të shtetit përgjatë të ashtuquajturës Linja e Kontrollit (LK), vija kufitare jozyrtare që ende njihet sot. Në atë kohë OKB-ja dërgoi një mision vëzhgues, që është ende në terren sot. Pakistani ka kontrolluar provincën speciale veriore të Gilgit-Baltistanit dhe nënrajonin Azad Kashmir në formë drapri që nga viti 1949. Pjesa e mbajtur nga India u bë shteti federal i Jammus dhe Kashmirit më 1957-n, me një status të veçantë autonom duke lejuar legjislaturën e shtetit të kishte fjalën e vet në legjislacion që përfshin të gjitha çështjet përveç mbrojtjes, të punëve të jashtme dhe të komunikimeve.
Dekadat në vijim u shënuan nga një garë armësh nga të dyja palët. India filloi të zhvillojë një bombë bërthamore dhe Pakistani gjithashtu filloi një program bërthamor me qëllim që të mundë t’i rezistonte fqinjit të tij gjigant. Sot India dhe Pakistani kanë rreth 140 dhe 150 koka bërthamore përkatësisht. Për dallim nga Pakistani, India ka përjashtuar në mënyrë të qartë një sulm të parë bërthamor. Pakistani gjithashtu harxhon shuma të mëdha në programin e tij bërthamor, pasi vendi përpiqet të sigurojë se nuk do të mbetet prapa fqinjit të tij në aspektin ushtarak. Në vitin 1965 Pakistani përsëri përdori forcën ushtarake për të provuar t’i ndryshojë kufijtë, por humbi ndaj ushtrisë indiane. Fqinjët u përleshën për herë të tretë më 1971-n, por kësaj radhe Kashmiri nuk ishte në qendër të konfrontimit. Në vend të kësaj ishte lufta e pavarësisë në Bangladesh që përshpejtoi luftën. India, e cila mbështeti luftëtarët e pavarësisë së Bangladeshit, mundi edhe një herë Pakistanin. Një vit më vonë India dhe Pakistani nënshkruan Marrëveshjen Simla, që nënvizon rëndësinë e LK-së dhe të angazhohet për negociata bilaterale për t’i sqaruar pretendimet për rajonin e Kashmirit një herë e përgjithmonë.
Më 1984-n kombet u përplasën përsëri; këtë herë mbi Glacier Siachen të kontrolluar nga India. Dhe në vitin 1999 të dyja palët luftuan për kontrollin e posteve ushtarake në anën indiane të LK-së. Në vitin 2003 India dhe Pakistani nënshkruan një armëpushim të ri, por ai është i brishtë që nga viti 2016.
FQINJI I TRETË
Kina, e cila ka një kufi të gjatë me Jammun dhe me Kashmirin, gjithashtu luan një rol në këtë konflikt. Në vitin 1962 Kina pushtoi një pjesë të Indisë që kufizohet me Kashmirin dhe hyri në një aleancë me Pakistanin. Deri më sot Kina dhe Pakistani tregtojnë përmes autostradës Karakoram të ndërtuar rishtas, e cila lidh vendet përmes rajonit perëndimor Kashmirit. Si pjesë e projektit multibiliondollarësh Korridori Ekonomik Kinë – Pakistan (CPEC) është duke u zgjeruar. Kjo rrugë e rrallë me zhavorr aktualisht është duke u zhvilluar në një autostradë asfalti me shumë korsi që mund të përdoret gjatë gjithë vitit. Kina po investon 57 miliardë dollarë (51 miliardë euro) në projekte të infrastrukturës dhe të energjisë së Pakistanit, më shumë se në çdo vend tjetër të Azisë Jugore. Aleanca ekonomike me fqinjin e saj të fuqishëm ka ndihmuar në forcimin e pretendimeve të Pakistanit në fushat e Himalajeve.