Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami u takua sot me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar. Në këtë takim miqësor u diskutua për aktualitetet politike dhe sfidat me të cilat është duke u përballur Maqedonia në rrugën e saj euroatlantike, thuhet në kumtesën nga Lëvizja BESA. Kasami e njoftoi ambasadorin Zhbogar edhe me angazhimin dhe përkushtimin e Lëvizjes BESA që Maqedonia në radhë të parë të jetë shtet i barabartë për të gjithë, dhe si e tillë të jetë anëtare e denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
“Lëvizja BESA e ka informuar Zhbogar se kërkesa e Gjorgje Ivanov, që të ketë garanca me shkrim nga LSDM-ja dhe partitë shqiptare nënshkruese të Deklaratës së Përbashkët, krijon një praktik të rrezikshme për funksionimin e shtetit dhe në veçanti për avancimin e mëtutjeshëm të të drejtave etnike të shqiptarëve”, thuhet në fund të kumtesës.