Shkup, 13 shkurt – Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i shoqëruar nga anëtarja e Kryesisë Qendrore, Ermira Asani-Salija dhe Teuta Bilalli, të hënën ka realizuar një takim me ambasadoren e Turqisë në Shkup, Tulin Erkal Kara. Në këtë takim, siç thuhet në komunikatën drejtuar mediave, është biseduar për realitetin e krijuar pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me ç’rast janë shprehur qëndrimet e Lëvizjes BESA përkitazi me zhvillimet e fundit dhe kombinatorikat qeveritare. “Me këtë rast, përfaqësuesit e BESËS kanë theksuar se platforma Ridefinimi është një pikë reference prej ku Maqedonia mund të rikthehet rrugës së eurointegrimeve. BESA ka bërë të ditur se koha është që partitë politike të gjejnë forcat për të realizuar reformat që burojnë nga Raporti i Pribes, dhe të gjitha ndryshimet e nevojshme që shkojnë në të mirë të qytetarëve. Të dyja palët janë dakorduar që takime të këtilla miqësore të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.