Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka realizuar sot takim me Arne Sannes Bjornstand, ambasador i Norvegjisë. Në këtë takim, siç theksohet në kumtesë, është biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend, me ç’rast përfaqësuesit e BESËS e kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj deputetëve në Kuvend dhe kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike.
Përfaqësuesit e Besës e kanë njoftuar zyrtarin e lartë për rolin konstruktiv që ka luajtur Besa në gjithë këtë proces dhe për angazhimin e saj në zhbllokimin e këtij ngërçi politik. Me këtë rast Lëvizje BESA ka theksuar se ajo mbetet e përkushtuar më zgjidhjen e krizës, duke bërë thirrje që të respektohet vullneti i shumicës, që sa më shpejt të vihen në funksion institucionet e shtetit dhe kështu të fillojë realizimi i reformave të domosdoshme që do ta rikthenin vendin në agjendën euro-atlantike.