Shkup, 20 janar – Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, sekretari gjeneral Afrim Gashi dhe anëtari i Kryesisë qendrore, Kastriot Rexhepi, janë takuar me ambasadoren e Gjermanisë në vend, Kristine Altauzer. “Në këtë takim miqësor është biseduar për aktualitetin politik në vend pas zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit, me çka përfaqësuesit e BESËS kanë shprehur qëndrimin se Lëvizja BESA në vazhdimësi është angazhuar për daljen e vendit nga kriza politike, dhe kthimin në agjendën e integrimeve euro-atlantike, ndërsa Platforma ‘Ridefinimi’ për këtë është një zgjidhje ideale politike”, thuhet në kumtesën partiake. Në kumtesë thuhet se takimet e këtilla miqësore dhe në frymë pozitive janë në vazhdën e intensifikimit të lidershipit të BESËS me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në vend.