Kasami: Nëse nuk pranohen kërkesat tona, nuk do të votojmë për ndryshimet kushtetuese

Shkup, 10 janar – Disa ditë para votimit për ndryshimet kushtetuese, akoma është e paqartë shumica absolute e deputetëve.

Kushtëzim për të votuar ka vendosur Lëvizja Besa e Bilall Kasamit. Ai mbrëmë për TV21, tha se Lëvizja Besa nuk do të jep dritë të gjelbër për ndryshimet kushtetuese nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, përcjell Telegrafi.

Kërkesat e opozitës shqiptare janë që tek dokumentet e shqiptarëve të mos ketë nënshtetësi maqedonase dhe në preambulë të Kushtetutës të theksohet mbrojtja e shtetit edhe për diasporën shqiptare dhe jo vetëm atë maqedonase.

Kjo pritet të jetë “sfidë e re” për Zoran Zaevin, pasi nëse pranon këto kërkesa mund të humb mbështetjen e tetë deputetëve të pavarur të cilët janë përjashtuar nga VMRO-DPMNE. Ata më herët kanë deklaruar se nëse qeveria pranon propozimet e opozitës shqiptare nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese.

Bilall Kasami mbrëmë tha se Lëvizja Besa çdo herë ka mbështetur procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe se tani është koha që të pranohen kërkesat e tyre.