Kasami: Lëvizja BESA jo votën për Qeverinë e Zaevit, ja arsyet

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami nga foltorja e Kuvendit bëri të qartë se nuk do të votojnë Qeverinë e re të mandatarit Zoran Zaev të përbërë nga LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.

Ai theksoi se qëndrimi i tyre është i qartë dhe ishte shprehur edhe gjatë seancës kur nuk votuan kryetarin e Parlamentit.

”Ne kërkuam qeveri të re e cila do të ishte e mbështetur në parime. Kërkuam marrëveshje të nënshkruar në letër dhe të afatizuar me data të sakta. Neve nuk na interesojnë funksionet dhe nuk na interesojnë dikasteret. Nëse nuk e ridefinojmë shtetin, e keqja do të na përsëritet. Sot jemi këtu pasi shteti nuk është ridefinuar më herët. Lëvizja Besa ju ka mbështetur edhe në protestat e Revolucionit Laraman, edhe pse na shënjestruan si mjet i LSDM-së. Ne të parët e mbështetëm këtë qeveri për të marrë mandatin. Mandati na dha mundësi për qeveri të re. Kjo ftesë nuk u mbështet në principe. Ne nuk duam të jemi në qeveri pa principe. Për këtë, sot neve na shënjestrojnë si mbështetës të VMRO-DPMNE-së.” tha Kasami mes tjerash nga foltorja e Kuvendit.

“Pse neve na ka ndodhur që Maqedoninë çdo vit ta ndërtojmë nga e para. Si ka mundësi që edhe pas 26 viteve të merremi me po të njëjtat gjëra që politikanët merreshin që nga themelimi i këtij shteti?”, pyeti Kasami, duke thënë se Lëvizja BESA ka kërkuar që të merren vesh se si do të udhëhiqet shteti, e jo se si do të ndahet pushtetin. Kasami theksoi se Maqedonia është një shtet asimetrik, që favorizon maqedonasit në kurriz të tjerëve, andaj shtoi se nëse nuk ekziston vullneti për të ridefinuar Maqedoninë, çdo 10 vite do të vijë në pikëpyetje vetë funksionimi i këtij shteti.

Duke folur për pjesëmarrjen e BDI-së në Qeverinë e re, Kasami tha se BDI është pjesë e qeverisë pasi frikohen nga e kaluara e tyre. “Kështu, ju jeni të pranueshëm për cilindo pushtetar maqedonas”, theksoi Kasami.

Sipas tij, nuk mund të jenë në një qeveri me BDI, e cila nuk mund të thuhet reformatore, pasi që kjo parti është pjesë e pushtetit të deritanishëm.