Tetovë, 26 tetor – Koalicioni me Aleancën për Shqiptarët do të sjellë ndryshime të mëdha për të mirë, tha lideri i lëvizjes BESA dhe kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami në takimet e sotme me qytetarët së bashku me partnerin e koalicionit Zijadin Sela, në të cilat i prezantoi projektet nga programi zgjedhor. “Ky koalicion do të thotë fillim i ndryshimeve për të mirën e shqiptarëve. Mjaft ishte qeverisja që në plan të parë e ka interesin personal, e jo të mirën e të gjithë qytetarëve. Si rezultat i kësaj mund të shihet në çfarë situata jemi sjellë”, tha Kasami dhe shtoi se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në ardhmen. Theksoi se shqiptarët erdhën deri në situatë që LSDM-ja me kryetarin e saj dhe së bashku me BDI-në të vijnë deri te komunat e tyre dhe t’u tregojnë kush duhet të jetë kryetar komune dhe kush duhet t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme. “Besoj se të gjithë qytetarët e kuptojnë se ata janë që vendosin dhe do të vendosin kush më mirë do t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme. Ne nuk jemi për VMRO-në, as për LSDM-në. Për ne janë të rëndësishme interesat e shqiptarëve dhe do të punojmë për shqiptarët. Ata që punojnë për LSDM-në, ndërsa dje kanë qenë për VMRO-në, mendojnë se edhe të tjerët janë të tillë. Unë u premtoj se do të punojë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Tetovës”, tha Kasami dhe premtoi zhvillim urban dhe higjienë, si dhe mbështetje për universitetet.