Tetovë, 18 maj – Ditë më parë, kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami ka realizuar takim me kryetarin e VMRO-DPME-së Hristijan Mickoski. Kasami tha se është biseduar për situatën aktuale politike në vend në drejtim të koordinimit të veprimeve për imponimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ai tha se tashmë do të mendohen dy herë para se të vendosin që të bëjnë koalicion parazgjedhor. “Pas tradhtisë që i ndodhi Lëvizjes BESA dhe shkeljes së marrëveshjes së nënshkruar me të cilën ne u bëmë pjesë e qeverisë, me të cilën ne i dhamë mundësi ish kryeministrit Zoran Zaev që të jetë në krye të qeverisë, ne do të mendojmë dy herë që të bëjmë marrëveshje eventuale të re për ndonjë koalicion parazgjedhor. Ne nuk i mbyllim dyert e bashkëpunimit me asnjë parti politike, por përvoja e hidhur me koalicionin paraprak zgjedhor, na imponon që vendimi të jetë shumë më mirë i paramenduar”, tha Kasami. Ai ka ftuar partitë opozitare shqiptare që të bashkohen për të larguar nga qeveria BDI-në. “Ne kemi patur vazhdimisht bashkëpunim me partitë opozitare dhe insistojmë në homogjenizimin e faktorit politik shqiptar, sepse është tepruar kjo situatë politike tek shqiptarët, ku kemi një periudhë 20 vjeçare që qytetarët janë të lodhur dhe duhet që të ketë rotacion të pushtetit edhe tek shqiptarët dhe ne si Lëvizje Besa jemi të përkushtuar që të bëjmë të gjitha kompromiset me të gjitha partitë shqiptare opozitare, përjashtuar këtu BDI-në dhe ftoj të gjitha partitë opozitare të ulemi, të tejkalojmë inatet personale që të krijojmë një bllok të fuqishëm opozitare dhe njëherë e përgjithmonë ta bëjmë ndryshimin me çka do të kishte rotacion të pushtetit”, tha Kasami.
Në ndërkohë, kushtet e Lëvizjes BESA për një koalicion eventual qoftë parazgjedhor qoftë paszgjedhor, janë avancimi i çështjes shqiptare dhe realizimi i projekteve investuese në tërë territorin pa marrë parasysh se ku jeton. (U.H)