Tetovë, 21 prill – Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në shoqërinë e bashkëshortes e realizoi të drejtën e votës në vendvotimin 1947 të locuar në objektin e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë në orën 11:30 minuta.
“Sot të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut patën mundësi për të dëshmuar se jemi të ndarë njëherë e përgjithmonë nga mënyra për të menduar që na është servuar më shumë se 40 vjet në monizëm dhe pothuajse 30 vjet në demokraci, ku punët shtetërore ishin të përcaktuara vetëm për pjesëtarët e një populli, një grupi etnik. Tani kemi një mundësi të shkëlqyer për të dëshmuar që në vitin kur Maqedonia duhet të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe të fillojë negociata aderuese për BE-në që të dëshmojmë se jemi të gatshëm t’i ndajmë vlerat e BE-së. Unë e shfrytëzova mundësinë. Uroj dhe ju dëshiroj të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që të kemi zgjedhje korrekte, demokratike dhe të njohura”, tha Kasami.