Interesat shtetërore të vihen mbi interesat personale dhe partiake me qëllim që vendi të dalë nga kriza dhe t’u kthehet integrimeve evropiane, është mesazhi prej eurokomisarit Johanes Han dhe tre eurodeputetët deri tek lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
“Komisari Han na mbështet në veprimet tona të cilat çojnë drejt formimit të qeverisë, e cila për momentin e ka mbështetjen e 67 deputetëve, si dhe të zgjidhet kryetari i Kuvendit, si dhe edhe një herë nga presidenti Ivanov të kërkohet që ta japë mandatin dhe të fillojnë negociatat për formimin e qeverisë së re që të mundet kjo qeveri ta realizojë programin e saj për kthimin e shtetit në proceset eurointegruese”, tha Kasami pas takimit.
Ai theksoi se Lëvizja BESA edhe deri më tani para interesave partiake i ka vënë ato shtetërore dhe e ka pezulluar platformën.
“Platforma e Lëvizjes BESA është ridefinimi i shtetit. Për momentin ndodhemi në krizë të thellë politike dhe ne duam të kontribuojmë që të dalim prej saj dhe të vijmë në ujëra më të qeta, ndërsa më pas të fillojmë një debat më të gjerë për platformën që ua ofruam qytetarëve”, tha Kasami.
I pyetur se çfarë do të bëjë BESA duke e ditur qëndrimin e presidentit Ivanov se nuk do të ketë ndarje të mandatit derisa nuk hiqet dorë prej platformës së Tiranës, Kasami tha se nuk ekziston një platformë e tillë.
“Nuk ekziston një platformë e tillë, ekziston një deklaratë e partive politike shqiptare për kërkesat të cilat janë të pranishme për 20 vjet me radhë në sistemin demokratik, të cilat duhet të realizohen në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në Maqedoni”, potencoi Kasami.
Ai vlerësoi se vizita e sotme e eurokomisarit Han dhe eurodeputetëve ka qenë e nevojshme për Maqedoninë për shkak të situatës në të cilën ndodhet, sepse, thotë, japin mbështetje për dalje nga kriza dhe i inkurajojnë faktorët politik në vend të punojnë në situatën në të cilën ndodhemi, të shohim më shumë në ardhmërinë e shtetit dhe të qytetarëve sesa në interesat partiake.
“Në këtë drejtim janë edhe aktivitetet e Lëvizjes Besa pa u parë interesi personal, gjegjësisht interesi partiak. Ne shohim të kontribuojmë si të dilet nga kjo krizë sepse vlerësojmë se në Maqedoni ende ka forca të cilët duan që këtë krizë të thellë institucionale ta shtyjnë në krizë interetnike, e cila është shumë e keqe për Maqedoninë. Pikërisht për këtë edhe mbështetja e përfaqësuesve të BE-së është në drejtim që elitat politike të reflektojnë dhe mbështetja e tyre do të jetë shumë e madhe për Maqedoninë që njëherë e përgjithmonë të kthehet në procesin eurointegrues dhe qytetarët e Maqedonisë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian në një shtet i cili do të krijojë mirëqenie për të gjithë ne”, tha Kasami.