Shkup, 11 tetor – Lëvizja BESA sonte në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 15-të tetorit është ndalur në Saraj të Shkupit. Kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Bashkim Bakiu, u tha të pranishmëve se nëse zgjidhet në krye të komunës, do të bëjë reforma thelbësore nëpër shkollat fillore, zhvillim të bizneseve vendore dhe tërheqje e investimeve të huaja dhe reforma në të gjitha fushat. Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, u premtoi banorëve të Sarajit se do të punojnë bashkë me Bashkimin në zhvillimin e komunave shqiptare, që kryetarët e komunave të jenë shërbëtorë të qytetarëve e jo zotërinj siç kanë vepruar kryetarët e BDI-së. “Do të luftojmë pë një komunë e cila jo vetëm të ndërtojë ujësjellës dhe kanalizim, por e cila do të ndërtojë kulturë, do të ndërtojë mundësi për zhvillimin e sportit, do të ndërtojë një ambient i cili do të jetë më i mirë për të jetuar”, deklaroi më tej Kasami.