Në reagimet e para Lëvizja Besa dhe Lëvizja për Reforma në PDSH shprehen se janë ndarë të kënaqura pas takimit të liderëve me kryeministrin e Shqpërise Edi Rama te zhvilluar sonte në Tiranë, njofton gazeta KOHA. Në këtë takim pjesëmarrës ishin lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, Besës Bilall Kasami, LR-PDSH-së Ziadin Sela dhe kreu i fraksionit të RDK-së Fadil Zendeli, ndërsa deklaratës së përbashkët e cila duhet të nënshkruhet në takimin e radhës pritet ti bashkangjitet edhe PDSH. Lëvizja BESA dhe LR-PDSH kanë falënderuar kryeministrin Rama, megjithëse nuk kanë dashur të komentojnë detajet e Deklaratës së dakorduar të partive shqiptare karshi mandatarit të ri të Qeverisë së Maqedonisë. Përshëndesim takimin dhe falëmenderojmë kryeministrin Rama për takimin”, thuhet në reagimin e parë të Lëvizjes Besa. Edhe nga LR-PDSH e Ziadin Selës janë shprehur të kënaqur me takimin, pëe të cilin theksojne se ka patur karakter konsultativ. Ndryshe, Deklaratën të cilën ka arritur ta shohë gazeta KOHA parasheh pika të rëndësishme të shqiptarëve, të cilët medoemos do t’i dorëzohen mandatarit nga pala maqedonase në bisedime për formimin e Qeverisë. Pika e parë e Deklaratës parasheh arritje të barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, përfshirja e parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët të njihen si popullsi shtet-formues, arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi përdorimit të saj si e drejtë themelore, përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare (flamuri dhe stema). Gjithashtu buxheti dhe zhvillimi i barabartë i rajoneve të banuara me shqiptarë zë vend kryesor në këtë Deklaratë. Veç kësaj, Deklarata obligon partitë shqiptare për përfaqësim të drejtë në organet e sigurisë-policisë dhe në ato të drejtësisë. Gjithashtu, vend të rëndësishëm ka zënë edhe financimi i kulturës dhe aktiviteteve kulturore shqiptare, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Madje, kërkohet edhe krijimi i një institucioni qendror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktorëve dhe lektorëve.