Kreu i Tetovës, Bilall Kasami pranon se shumica e këshillit komunal, që nga fillimi ka qenë e brishtë dhe më se më shumë problem ka pasur me këshilltarët e shumicës se ata të opozitës. Mosvotimin e llogarisë përfundimtare komunale nga këshilltarët e pavarur që përbënin shumicën, Kasami e quan i shantazh dhe kalkulim politik.
“Sa i përket përgjegjësisë edhe kemi qenë në informuar edhe s’kemi qenë të informuar. Bëhet fjalë për kalkulime politike, këshilltarët e shumicës disa nga ata këshilltarë, kanë bërë kalkulime të cilët ne i pamë dhe në opinion për të shantazhuar dhe kërcënuar shumicën se nëse nuk pranohen këshillat, konsultat apo kërkesat tyre pa diskutim ata mund ta çojnë në krizë komunën në këtë rast edhe këshillin në zgjedhje, në këtë rast rezultati është ky që është”, Bilall Kasami, kryetar i Tetovës.
Për këto akuza të Kasamit, këshilltarja e listës “Më mirë për Tetovën”, Elmedina Abdullahi thotë se Komuna vetë ka inskenuar situatën për t’u shfajësuar për paaftësitë e veta ligjore.
“Përkundër angazhimit tonë të sinqertë për t’i ndihmuar komunës që të përballet me problemet që ballafaqohet gjatë kësaj periudhe, ne në vend që të diskutojmë për zgjidhje të problemeve apo të kemi problem ose të kemi zgjedhje të probleme, ne kemi një situatë, dyshojmë thellë se është e inskenuar vetëm për ta shfajësuar vetveten pa aftësinë për t’i përcjellë afatet ligjore ose për ta arsyetuar gabimin që ata e bënë”, tha Elmedina Abdullahi, këshilltare e pavarur.
Po Kasami mohon se çështja e transparencës po e çon komunën në zgjedhje për Këshillin Komunal.
“Jo unë për ketë them shkaku transparencës, ambicieve të tepërta të disa këshilltarëve, shkohet në zgjedhje përndryshe ne kemi dhënë apo do të japim llogari para qytetarëve me apo pa këta këshilltarë”, pohoi Bilall Kasami, kryetar i tetovës.
“Nuk dua të komentoj gjëra që flitet pa argumente të caktuara mirë, por nëse kërkesa e transparencës dhe llogaridhënies është shantazh atëherë, nuk kam koment tjetër këtu”, tha Elmedina Abdullahi, këshilltare e pavarur.
Shumica e këshilltarëve më 7 prill votuan të përmbajtur për votimin e llogarisë përfundimtare të Komunës, ndërsa në seancën e ardhshme nuk u siguruan votat për ta kaluar as rendin e ditës, pasi që Këshilli votoi 15 me 15. Nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale gjatë ditës së sotme kanë njoftuar Qeverinë, e cila më pas duhet të njoftojë Kuvendin, i cili në bazë të ligjit do të duhet të shpallë zgjedhje për këshilltarë të komunës së Tetovës. (TV21)