Sezoni ka përfunduar mes verdiktesh dhe polemikash, ndërkohë që edhe për arbitrat ka ardhur momenti që të pushojnë pak. Por disa nga arbitrat e Premier League do të mallkojnë veten që kanë shkuar në Indonezi dhe e kanë lëshuar pak veten me vajzat e këtij vendi.
Sipas “Sun”, Atkinson, Merriner dhe disa kolegë të tyre kanë kaluar disa ditë në ishullin Batam, por pamjet që kanë mbërritur nga vendi aziatik e ka prishur humorin në shtëpitë e tyre. Në grupin prej 6 arbitrash, vetëm i riu David Kut nuk është i martuar, ndërsa pesë të tjerët duhet të japin shpjegime para familjarëve të tyre.
Gjashtë arbitrat, Atkinson, Merriner, Frend, Kut, Ist dhe Skot, janë fotografuar në një klub nate, në praninë e shumë vajzave indoneziane, disa prej tyre në momente mjaft kompromentuese. Vajzat kanë shpërndarë shumë foto dhe video në profilet e tyre në rrjetet sociale. Kut nuk ka pse t’i japë llogari askujt, të tjerët do ta kenë pak të vështirë për të treguar se çfarë ndodhi në Batam. Në veçanti Merriner, që përqafon një vajzë të ulur mes këmbëve të tij në një diskotekë të ishullit të njohur për lokalet e shumta me drita të kuqe.
Shoqata e Arbitrave në Angli ka refuzuar të shprehet në lidhje me këtë ngjarje. “Sun” ka sjellë ndërkohë edhe dëshminë e një personi që ishte i pranishëm në atë diskotekë. “Ishte diçka që binte në sy, sepse vajzat ishin të reja në moshë, kurse burrat shumë të vjetër”, – ka thënë ai. Një mbrëmje me shumë dyshime, që rrezikon të lërë në hije një nga arsyet pse arbitrat ishin në Indonezi. Atkinson organizon shpesh ture çiklistike për bamirësi dhe bashkë me miqtë e tij mbledh fonte për shëndetësinë. Edhe në këtë rast arbitrat i kanë çuar të ardhurat në një spital në Indonezi. Por këtë pjesë të udhëtimit me siguri nuk do ta kujtojmë më askush.