Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar kartëmonedhat e reja të cilat do të qarkullojnë në vendin tonë.
“Prezantimi dhe hedhja në qarkullim e serisë së re të kartëmonedhave përbën një ngjarje shumë të rëndësishme, një moment të veçantë, jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por për gjithë shtetin shqiptar. Pas më shumë se 20 vitesh, dizenjo e kartëmonedhave të qarkullimit vjen e rifreskuar dhe me elementë sigurie të përmirësuara, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë”, thuhet në njoftimin e Bankës.
Sejko tha gjatë ceremonisë se prezantimi i këtyre kartëmonedhave vjen pas një pune 4 vjeçare, duke shtuar se kartëmonedhat do të dalin në qarkullim në mënyrë graduale.
“Monedha shqiptare mbetet kujtesë historike e kombit shqiptar. Monedha përbën element të rëndësishëm të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Monedha ka si synim pasqyrimin e historisë së Shqipërisë, duke treguar portretet më të ndritura të kombit shqiptar. Ajo përmban të gjitha periudhat historike, që nga lashtësia. Seria që prezantojmë sot përbën seri të re. Monedha shqiptare do vijë me pamje të re. Më 30 shtator do të hidhen prerje të reja. Dizanji i ri garanton siguri dhe cilësi më të lartë. Ceremonia e sotme mbahet pas një pune 4-vjeçare. Jam i nderuar që sot të prezantoj serinë e re. Tematika e kartëmonedhave nuk kanë ndryshuar, por kanë ndryshuar konfigurimi. Kartëmonedhat do të kenë kurse ligjor. Kartëmonedhat e reja do jenë në qarkullim me ato ekzistuese. Ekzistueset do të tërhiqen me kohën nga Banka Qendrore e Shqipërisë”, tha Sejko.