Shkup, 17 dhjetor – Kartelat shëndetësore elektronike do të jenë në përdorim edhe në të ardhmen, pavarësisht spekulimeve në opinion se ato do të hiqen nga përdorimi, shkruan gazeta KOHA. Deri te Fondi për sigurim shëndetësor (FSSHM) janë dorëzuar mbi 14 mijë kërkesa për t’u pajisur me kartela të reja shëndetësore elektronike. Në opinion u raportua se kompania kroate që fitoi vite më parë tenderin për kartelat e tanishme është larguar nga Maqedonia. Drejtori i FSSH-së, Orhan Ramadani, thotë së shpejti Ministria e Shëndetësisë do të shpallë tender për gjetjen e firmës së re e cila do t’i punojnë në të ardhmen kartelat shëndetësore elektronike. “Së shpejti do të publikohet tender për gjetjen e firmës së re e cila në të ardhmen do të punon në përpunimin e kartelave shëndetësore dhe më së voni deri në fund të muajit shkurt të vitit 2017 të gjithë 14 mijë siguruesit që kanë dorëzuar kërkesa do të pajisen me kartela shëndetësore elektronike”, thotë Ramadani. Sipas tij, projekti për kartelat shëndetësore vitin e kaluar u rrumbullakua dhe se nuk ka asnjë problem që të gjithë qytetarët e siguruar të vazhdojnë të mjekohet me kartelat shëndetësore elektronike. “Gjatë viti 2016 projekti për pajisjen e qytetarëve të siguruar me kartela shëndetësore u rrumbullakua dhe se në të ardhmen nuk ka asnjë problem që të vazhdojnë qytetarët shërbimet shëndetësore t’i kryejnë me kartelat shëndetësore elektronike. Për fat të keq, ekziston një numër i madh i qytetarëve, gjegjësisht rreth 170 mijë, që ende nuk i kanë marrë kartelat shëndetësore elektronike të cilat janë gati që nga janari i vitit të kaluar”, thotë Ramadani. Ai njëherit i siguron qytetarët se FSSHM-ja nuk do të ndërpres procesin e shtypjes së kartelave shëndetësore dhe as që mendohet për ndonjë formë tjetër e cila do të zëvendësojë kartelat shëndetësore. “Të gjithë qytetarët të cilët deri në fund të vitit kanë kërkuar kartela shëndetësore elektronike të reja tani më i kanë marrë kartelat e tyre. Sistemi i kartelave elektronike shëndetësore funksionon pa problem, ndërsa ata të siguruar të cilët nuk kanë kartela dhe kanë sigurim shëndetësor, shërbimet shëndetësore mund t’i marrin me libreza shëndetësore deri në kohën kur do të pajisen me kartela shëndetësore”, thekson Ramadani, drejtor i Fondit shëndetësor të Maqedonisë. Projekti i kartelës shëndetësore elektronike filloi të zbatohet 10 vite më parë dhe qëllimi i këtij projekti, sipas FSSHM-së, është krijimi i një sistemi të ri informativ të integruar në shëndetësi, me çka kartela duhej tërësisht të zëvendësojë librezën shëndetësore dhe në vete të përmban identifikimin dhe të gjitha të dhënat mjekësore të të siguruarit. “Deri në fund të viti 2015, sipas FSSHM-së, janë dorëzuar gjithsejtë 1.667.199 kartela shëndetësore elektronike, apo mbi 90 për qind e qytetarëve të siguruar tani më janë pajisur me kartela shëndetësore elektronike. Gjatë këtij viti janë përpunuar edhe 106.759 kartela plotësuese për qytetarët e siguruar, të cilëve u ka kaluar afati i përdorimit, por edhe për qytetarët të cilët për herë të parë kanë dorëzuar kërkesë për t’u pajisur me kartela shëndetësore elektronike”, thonë nga FSSHM-ja.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.