Në Bolivi është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në hapësirat bujqësore për shkak të pushtimit nga karkaleca. Sipas lajmit në BBC, presidenti i Bolivisë Evo Morales ka miratuar planin e gjendjes së jashtëzakonshme i cili përfshin një fond prej 700 mijë dollarësh për dezinfektimin me avull të hapësirave bujqësore të pushtuara nga karkalecat. Ndërkaq, ministri bolivian i Bujqësisë, Mauricio Ordonez ka theksuar nevojën që procesi i dezinfektimit të fillojë sa më parë. Ndryshe, pushtimi nga karkalecat filloi rreth para një jave në qytetin Santa Cruz në jug të vendit, ku edhe realizohet pjesa më e madhe e prodhimeve ushqimore dhe të mishit. Autoritetet supozojnë se pushtimi i karkalecave ka prekur mbi një mijë hektarë tokë aktive, ndërkohë që ka shkatërruar arat me barë, misër dhe sorghum. Pritet që Morales ta vizitojë Santa Cruzin ditën e shtunë.