Kardinali i parë afro-amerikan

19

Papa Françesku emëroi të shtunën 13 kardinalë të rinj, mes tyre dhe afrikano-amerikanin e parë që mban këtë gradë të lartë, duke zgjeruar më tej ndikimin e Papës në grupin që do të zgjedhë një ditë pasardhësin e tij. Kardinalët u emëruan në një ceremoni që ishte kufizuar dukshëm për shkak të pandemisë. Në vend të mijërave vetëve si zakonisht, në Bazilikën e Shën Pjetrit u lejuan vetëm 10 mysafirë për kardinal ndërsa Papa u dha atyre një unazë dhe kapelën e kuqe tradicionale. Nëntë prej 13 kardinalëve janë nën moshën 80 vjeç dhe kanë të drejtë sipas ligjit të kishës të jenë pjesë përbërëse e një këshilli të fshehtë që do të zgjedhë Papën e ardhshëm në mesin e tyre, pasi të vdesë Papa Françesku apo të japë dorëheqjen.

Kjo ishte ceremonia e shtatë e kësaj natyre që Papa Françesku mban që nga zgjedhja e tij në vitin 2013. Ai ka emëruar tashmë 57 për qind nga 128 kardinalë që zgjedhin Papën, shumica e të cilëve ndajnë të njëjtin vizion me të për një kishë më gjithëpërfshirëse. Deri më tani, ai ka emëruar 18 kardinalë nga vende kryesisht të largëta që kurrë nuk kishin një të tillë, pothuajse të gjitha këto vende në zhvillim.

Wilton Gregory, kryepeshkopi 72-vjeçar nga kryeqyteti i SHBA Uashingtoni bëhet kardinali i parë afrikano-amerikan në një kohë që Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë marrëdhëniet mes racave pas një numri vrasjesh në duart e policisë të afrikano-amerikanëve të paarmatosur. Wilton Gregory mbushi faqet e para të shtypit në qershor kur kritikoi vizitën e Presidentit Donald Trump në një kishë katolike në Uashington, pasi policia dhe ushtria përdorën gaz lotësjellës e plumba gome për të pastruar rrugën nga protestuesit në mënyrë që zoti Trump të shkonte atje për një fotografi para një kishe historike me një bibël në dorë.