Bujar KURTAJ
Shkup, 23 dhjetor – Karateisti i KK “Fati” nga Tetova, Doan Osmani para dhjetë ditësh triumfoi në Kampionatin Ballkanik në kategorinë U21, -75 kg. Osmani ishte “mbret” në këtë eveniment, i cili u mbahej në Herceg Novi të Malit të Zi, ndërsa në luftën finale deri në 75 kg ai mundi malazezin Nikola Maloviç me rezultat 5-3. Ishte kjo një super luftë, të cilën Osmani humbte pjesën e parë të luftës finale, por në pjesën e dytë bëri rikthim duke treguar karakter të fortë dhe me meritë fitoi, sepse ishte maksimalisht i përgatitur. Pasi triumfit në Kampionatin Ballkanik në Herceg Novi, Osmani akoma i kujton emocionet dhe të njëjtat i rrëfen edhe njëherë për gazetën KOHA, por gjithashtu ai flet edhe për hapat e parë me këtë sport, titullin që edhe më herët e kishte fituar, sukseset tjera dhe pritjet e tija në të ardhmen.
“Rrugëtimi drejt suksesi të fundit ku u shpalla Kampion Ballkanik ka qenë i pritshëm, pasi puna e pandalshme dhe synimi im dhe i trajnerit Arlind Huseinit, ishte pjesëmarrja në Kampionatin Evropian. Prandaj u nisa drejt këtij rrugëtimi për të arritur fitoren dhe njëkohësisht kualifikimin për në Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në Soçi të Rusisë. Pasi ia arrita qëllimit, jam shumë i lumtur sikurse unë poashtu edhe trajneri Huseini”, fillon kështu rrëfimin e tij Osmani. Ndryshe, siç thamë për Doanin triumfi në një eveniment të tillë është i dyti, pasi këto emocione i kishte përjetuar edhe në vitin 2012. “Emocionet e një fituesi të titullit Kampion Ballkanik i kam përjetuar më herët, para pesë viteve (2012). Por, realisht kësaj radhe mund të them që jam më i kënaqur për shkak se jam shpall kampion në një kategori që nuk është aq e lehtë. Pra në atë të U 21, derisa është e veçantë edhe për faktin se jam një nga më të rinjtë në këtë kategori”, vazhdoi më tej karateisti nga Gostivari.
I inspiruar nga filmat e Brus Li
Ndryshe, Osmani ndalet dhe tregon për hapat e parë me karatenë të cilat i ka filluar te Klubi i Karatesë “Fati” nga Gostivari. “Hapat e parë me sportin e karatesë i kam filluar në vitin 2004 në Klubin e Karatesë ‘Fati’ nga Gostivari, klub i cili më vonë u shpërngul në Tetovë. Arsyeja se pse vendosa të merrem me karate ka ardhur nga filmat kinez që i shikoja si i ri, respektivisht aktori i ndjerë Brus Li. Si çdo karateist duke i parë filmat e tij, ka bërë që ne kemi filluar të merremi me këtë sport, dha ja sot kjo është bërë realitet”, bën të ditur karateisti i KK “Fati”. Derisa, gara e parë e Osmanit ka qenë në vitin 2008. “Gara ime e parë ka qenë në vitin 2008 dhe po në këtë garë jam stolisur me medaljen e arit”, nënvizoi më tej Osmani.
Herceg Novi, “qershia mbi tortë”
Në vazhdim të karrierës së tij Doanit nuk i kanë munguar sukseset dhe medaljet nga turnirët vendore dhe ndërkombëtare. Duke marr parasysh se janë të shumtë, Osmani i thekson disa nga ato. “Sigurisht se kam shumë suksese në turnirë të vendore dhe ndërkombëtare, por kësaj radhe do të numëroj disa nga ata suksese. Në vitin 2010 dhe 2011 në Kampionatin Ballkanik në Greqi dhe Qipro, fitova vendin e tretë, kurse më pas siç përmenda më lartë, në vitin 2012 u shpalla Kampion Ballkanik në Mal të Zi. Pastaj në Kupën e Botës që u mbajt në Kroaci në vitin 2015 zura vendin e dytë, ndërsa vitin e kaluar në Bosnjë në Kampionatin Ballkanik fitova vendin e tretë dhe jam pjesëmarrës në tre Kampionate Evropiane dhe dy Botërore. Derisa, më në fund si rezultat i këtyre sukseseve, erdh suksesi më i madh, Kampion i Ballkanit në Herceg Novi”.
Ndjek hapat e Berat Jakupit
Ndërkohë, me sukseset që po i arrin, Osmani shpreson të ndjek hapat e Berat Jakupit, karateistit më të mirë nga Maqedonia. Thotë se qëllimi i tij është të ndjek hapat e Beratit, por pranon se dëshiron edhe ta kalojë sa u përket rezultateve që ai i ka arritur. “Qëllimi im është të prek majat e rezultateve më të mira apo të jem në kulmin e më të mirëve, por kjo ndodh vetëm me punë. Unë do të mundohem të ec në hapat e Beratit, por edhe ta kaloj kështu që nuk do të ndalem së punuari bashkë nën udhëheqjen e trajnerit Arlind Huseini. Dua të cek edhe këtë se pikërisht trajneri Arlind Huseini është shkaktar i këtyre rezultateve të mia, por realisht edhe të Beratit. Jam i bindur që me kualitetin që ka trajneri, do t’ia arrij qëllimit dhe në të ardhmen të arrij në piedestalet evropiane për senior”, përfundoi Doan Osmani.