Shkup, 22 maj – Nëse personat të cilët kthehen nga jashtë me fluturime humanitare ose konvoj në 72 orët e fundit para se të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kanë bërë test PCR për koronavirus COVID-19, në vend të karantinës të detyrueshme shtetërore, do të drejtohen në vetizolim të detyrueshëm shtëpiak.
Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, kjo është paraparë me ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për zbatimin e karantinës së detyrueshme shtetërore të shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut të kthyer nga jashtë me fluturime humanitare ose konvoj të miratuara në seancën e sotme të Qeverisë.
Në vend të karantinës së detyrueshme shtetërore, izolimi i detyrueshëm shtëpiak përcaktohet edhe për të huajt, për të cilët Shtabi kryesor i koordinimit të krizave vendos në raste të interesit shtetëror ose ekonomik, dhe të cilët do të dorëzojnë certifikatë të përshtatshme mjekësore me rezultat negativ nga testi PCR, me respektimin e detyrueshëm të protokolleve nga Komisioni për sëmundje infektuese pranë Ministrisë së Shëndetësisë, kumtuan nga Qeveria e RMV-së.