Shkup, 19 tetor – Të dielën janë zhvilluar edhe pesë ndeshjet e javës së nëntë në Ligën e Parë futbollistike të Maqedonisë. Ekipi i FC Shkupit ishte e vetmja skuadër që shënoi fitore në transfertë, pasi që mundi Akademia Pandevin me 1-0, falë golit të shënuar nga Darboe. Kjo ishte fitorja e dytë për skuadrën nga Çairi nën urdhrat e trajnerit Umit Karan, i cili pas ndeshjes në Strumicë ka dhënë dhe përshtypjet e tija për duelin ndaj Akademija Pandev.
“Sigurisht se ishte një ndeshje mjaft e vështirë dhe deri te fitorja arritëm në pjesën e dytë edhe pse gjatë gjithë ndeshjes kishim kontrollin e lojës dhe krijuam shumë raste për shënim. Jemi të kënaqur që morëm tri pikë dhe sot u pa se ka ndryshim pozitiv në skuadër, pasi që kemi punuar mirë gjatë kësaj pauze dy javore”, tha Umit Karan, i cili më pas shtoi se për FC Shkupin çdo ndeshje do të jetë si një finale, pasi skuadra e tij dëshiron titullin e kampionit.
“Normalisht për ne në vazhdim çdo ndeshje do të jetë si finale, e them këtë nëse dëshirojmë të jemi në garë për titull. Duhet ta kemi parasysh se tani kemi mjaft ndeshje të vështira, na vjen skuadra e Sileksit që është kthyer në formë, ndërsa më pas kemi tri ndeshje të njëpasnjëshme që luajmë si mysafire. Nuk duhet harruar se të mërkurën luajmë ndeshje në kuadër të Kupës, andaj duhet të kemi shumë kujdes dhe ta harrojmë këtë ndeshje sa ma shpejt dhe të fokusohemi në ndeshjet që na presin”, ka thënë Karan.
Ekipi i Struga Trim Lum si vendase me lehtësi dhe me 3:0, mundi skuadrën e Bellasicës. Trajneri i ekipit Struga Trim Lum, Srgjan Zaharievski ka ngelur i kënaqur me fitoren e thellë ndaj Bellasicës në Shtëpi.
“Shënimi i shpejtë i dy golave në pjesën e parë ishin vendimtarë për rrjedhjen e ndeshjes. Pas golave të shënuar ishte më lehtë për të menaxhuar lojën duke krijuar raste tjera për golë. Dua të përgëzoj lojtarët për fitoren e arritur, po ashtu uroj edhe Bellasicën për ndeshjen e mirë që bënë edhe përkundër rezultatit negativ”, theksoi trajneri i Strugës, Srgjan Zaharievski.
Në takimet tjera që u zhvilluan të dielën, ekipi i Sileksit në Kratovë ka shënuar fitore me rezultatin 4:3 përballë Rabotniçkit, Boreci në Shtëpi ishte më e mirë se Makedonija Gj.P duke e mposhtur me shifrat 2:1. Nuk kishte fitues në sfidën e zhvilluar në Gostivar, në mes Renovës dhe Pelisterit të cilët luajtën barazi pa gola. Ditë më parë, lideri aktual, Shkëndija deklasoi Vardarin në Shkup me rezultat të thellë 5-1.
Shkupi ndeshjen e Kupës ndaj Kit GO e luan në Maxhari
Të mërkurën në program do të jenë ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut. Ekipi i FC Shkupi do përballet me Kit Go. Edhe pse në rolin e nikoqirit, Shkupi ndeshjen kundër Kit Go do ta zhvillojë në stadiumin në Maxhari, për shkak se në stadiumin e Çairit po bëhet rinovimi i fushës nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Çairit, që ditë më parë nënshkruan aneks marrëveshje për instalimin dhe mirëmbajtjen e terrenit, duke e larguar plotësisht tapetin e vjetër.